Foto:LDK, Facebook

Grafika interesante e LDK-së, e quan "Pronto" bordin e AKP-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar një grafikë përmes të cilës propozimet e Qeverisë Kurti për bordin e AKP-së e ka krahasuar me aferën ‘Pronto’ .

“Nga thirrja për çkapje të shtetit, VV iu turren shtetit me të marrë pushtetin. Politizimi i bordeve dhe pushtimi i tyre me aktivistë dhe militantë partiak, tregon qasjen e njëjtë të Pronto 1”, thuhet në postimin e LDK-së.

Tutje, është thënë se propozimi  i tillë është episod i ri i “Pronto”-s, tashmë me numër rendor 2 dhe me protagonistë e llogo të re.

KALLXO.com sot ka raportuar se Nazmi Mikullovci njëri nga të propozuarit, për bord të AKP-së ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Mikullovci për KALLXO.com e ka pranuar se ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa kur është pyetur nëse është pjesë e LVV-së, ai ka thënë se kjo është e paqartë.

“S’po di çka me të thënë, është pak e pa definuar. Unë kam qenë vetëm nga aspekti i ekonomisë, kam qenë anëtar i thjeshtë, madje një kohë as anëtar. Unë jam marrë vetëm me çështje ekonomike, në atë formë kam marrë pjesë nëpër mbledhje, kam përfaqësuar Vetëvendosjen në këto bisedat nëpër emisione. Unë jam ekonomist, gjithë jetën jam marrë me ekonominë dhe ata më kanë pranuar si të tillë”, deklaroi Mikullovci, pa dashur të zgjatet më shumë.

Njeriu i Vetëvendosjes propozohet për bord të AKP-së