Foto: Policia e Kosovës

Gradohen 127 togerë në Polici të Kosovës

Policisë së Kosovës, pas një procesi disa mujor të testimeve dhe trajnimeve, i janë shtuar 127 togerë, të cilët u graduan sot përmes një ceremonie virtuale, në të cilën morën pjesë menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës dhe vet zyrtarët e graduar.

Ceremonia virtuale është udhëhequr nga u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Në ceremoninë virtuale e cila u mbajt në këtë formë për shkak të pandemisë COVID-19, Mehmeti tha se përmes këtij rrugëtimi të vështirë dhe sfidues, Policia e Kosovës ka zgjedhur më të suksesshmit nga radhët e saj.

“Ky proces gradimi është thelbësor në zhvillimin e kuadrove të  reja dhe në  avancimin e vazhdueshëm të stafit policor, me qëllim që t’u jepet mundësia që këto aftësi profesionale të shndërrohen në përformancë efektive”, ka deklaruar Mehmeti.

Mehmeti duke iu drejtuar të graduarve ka shtuar se nga ta pritet një performancë dhe përkushtim ndaj përmbushjes së detyrave me qëllim të realizimit të misionit në zbatimin i ligjit në tërë territorin e Kosovës.

“Nga ky moment i gradimit, ju do të jeni mbikëqyrës të vijës së mesme menaxhuese dhe do të merrni përgjegjësi për menaxhimin, udhëheqjen, mbikëqyrjen, trajnimin, këshillimin dhe disiplinën e të gjithë punonjësve të cilët do të jenë nën mbikëqyrjen tuaj”, ka përfunduar Mehmeti.