Komuna e Graçanicës.

Graçanica furnizohet me kripë pas përfundimit të sezonës

Auditori i Përgjithshëm, në mes gjetjeve sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve në komunën e Graçanicës, evidentoi se komuna ishte vonuar në realizmin e pagesave të faturave, si dhe pas përfundimit të sezonit dimëror ishte furnizuar me kripë dhe rërë.

 Auditori gjeti se Komuna e Graçanicës nuk i kishte paguar faturat me kohë në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Te kontrata për “Pastrimin, larjen e rrugëve dhe trotuareve, mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe pastrime të ndryshme në Komunën e Graçanicës”, të bëra në muajin mars dhe prill në vlerë totale prej 294,390€ ishin faturuar dhe paguar me vonesë, nga të cilat 36,654 € ishin paguar në muajin gusht dhe 256,760€ në muajin dhjetor”, thuhet në raport.

Tutje raporti i Auditorit tregon se për furnizimet me kripë dhe rërë në vlerë 62,020 euro në ditarin ndërtimor nuk ishte evidentuar sasia e furnizuar, për ta arsyetuar sasinë e paguar. Për më tepër, kripa dhe rëra ishte pranuar në muajin prill, ndonëse nuk arsyetohet nevoja për furnizim për shkak të kalimit të sezonit të dimrit dhe përmirësimit të kushteve klimatike.

Auditori bazohet në pikën 61 të Rregullës dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik ku janë përcaktuar përgjegjësit e menaxherit të kontratës.

Sipas auditorit, menaxheri i Kontratës ka përgjegjësi të menaxhoj obligimet dhe detyrat e Autoritetit Kontraktues të specifikuara me kontratë, dhe b) sigurojë se operatori ekonomik kryen kontratën në përputhje me termet dhe kushtet e specifikuar në kontratë. Gjithashtu, UA nr. 15/2013 – përcakton kërkesat dhe kushtet për mbajtjen e librit dhe ditarit ndërtimor nga organi mbikëqyrës i punimeve.

Meqenëse mangësitë e tilla krijojnë paqartësi në mes të shërbimeve të ofruara dhe furnizimit e pranuara, kreut të komunës iu rekomandua të sigurohet se menaxherët mbikëqyrin dhe të mbajnë evidencë

“Kryetari duhet të duhet të sigurojë se menaxherët e kontratave mbikëqyrin dhe evidentojnë në raportet e pranimit dhe ditarin e punës sasinë e furnizimeve dhe shërbimeve të kryera. Kryetari në bashkëpunimin me kompaninë kontraktuese duhet të qartësojë aspektin e çmimit të kontraktuar dhe ti përmbahet çmimeve të kontraktuara sipas Marrëveshjes”, rekomandon auditori.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kryetari  i Komunës së Graçanicës, Sredan Popoviç, konfirmoj se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Komunës  së Graçanicës.