Grabitje e armatosur në Veternik në 3 të mëngjesit, arrestohet i dyshuari

Mëngjesin e sotëm, rreth orës 03:00, ka ndodhur një grabitje e armatosur në një pompë të derivateve në lagjen Veternik në Prishtinë.

Zëdhënësja e policisë në Prishtinë, Florie Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se për këtë rast policia ka arrestuar personin i cili dyshohet të ketë kryer grabitjen.

“Sot rreth orës 03:00, kemi pranuar informatën për një grabitje të armatosur, në një pikë derivatesh në lagjen Veternik në Prishtinë. Rastit menjëherë i janë përgjigjur njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, të cilat kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se bazuar në  rezultatet fillestare të hetimit dyshohet se personi i dyshuar nën kërcënimin e armës, me forcë duke i shkaktuar lëndime viktimës, ka arritur të merr një sasi të parave dhe është nisur të largohet nga vendi i ngjarjes, por menjëherë njësitet policore janë vënë në ndjekje të tij.

“Ka qenë aksioni i shpejtë i policisë ai që ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar vetëm pak minuta pas raportimit të rastit. Personit të dyshuar policia i ka gjet dhe konfiskuar një sasi të parave, dy telefona, një çantë etj”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka bërë të ditur se në lidhje me këtë rast policia ka sekuestruar për ekzaminim veturën të cilën po e drejtonte i dyshuari.

“Aktualisht hetuesit policor  në koordinim me prokurorinë po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë rast”, tha Ahmeti për KALLXO.com.