Grabitja në një institucion mikrofinanciar në Mitrovicë, arrestohet një 63-vjeçar

Një 63-vjeçar është arrestuar në Mitrovicë si i dyshuar për grabitjen që ka ndodhur sot në një institucion mikrofinanciar në rrugën ,,Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë.

Bazuar në informatat e Policisë, dyshohet se nën kërcënimin e armës personi i dyshuar ka grabitur një shumë të parave nga institucioni në fjalë dhe ka ikur në drejtim të panjohur.

Më pas, hetuesit e Njësisë se Hetimeve Rajonale kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore në identifikimin dhe zbulimin e personave të dyshuar dhe si rezultat i kësaj dhe dyshimeve të arsyeshme në orët e pasdites kanë arrestuar një person të dyshuar.

63-vjeçari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, mirëpo sipas Policisë, dyshohet se në këtë rast kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit ndërsa me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është kryer një kontroll në një lokacion ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të këtij rasti.