Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Grabitja me armë e 600 eurove në market, kërkohet paraburgim ndaj katër të dyshuarve

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar masën e caktimit të paraburgimit ndaj katër të dyshuarve për rastin e grabitjes në një market në fshatin Hoqë e Qytetit.

Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 12 qershor 2022, ku S.K., D.S., G.P., dhe L.B., nën përdorimin e armës dhe kanosjes marrin nga arka 600 euro.

“S.K., ia drejton armën e zjarrit – pistoletën punëtoreve të marketit, derisa i pandehuri G.P., së bashku me të pandehurit L.B., dhe D.S., shfrytëzojnë momentin e volitshëm, me ç’rast arrijnë t’i marrin nga arka e marketit shumën e parave prej 600 euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje bëhet e ditur se të pandehurit pas kësaj janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të Nashecit.

Në këtë mënyrë sipas prokurorisë të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale grabitja.