Foto: KALLXO.com

Grabitja e afër 1 milion eurove dhe mbi 46 mijë dollarëve, dështon përsëri të mbahet seanca fillestare

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar përsëri të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka, Agron Berisha, Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli, të cilët akuzohen për grabitje dhe për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 18.11.2021 në rrugën regjionale Gjilan-Prishtinë në fshatin Parallovë (komuna e Novobërdës), të pandehurit si grup i organizuar kriminal kanë grabitur shumën e parave 996,271.24 euro dhe 46,780,00 dollarë amerikanë në dëm të të dëmtuarve – bankës “Pro Credit”, me seli në Prishtinë, dhe kompanisë “Besa Security”, me seli në Prishtinë.

Arsyeja pse seanca e sotme, 19.12.2024, ka dështuar të mbahet është mungesa e të akuzuarve Kushtrim Xhaka dhe Nexhat Muqolli.

Shqyrtimi fillestar lidhur me ketë çështje pritet të mbahet gjatë muajit janar 2025.

Mbrojtësi i të akuzuarit Viktor Sogojeva, avokati Haxhi Millaku, kërkoi nga Gjykata që të mbrojturit të tij t’i zëvendësohet masa e arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Këtë propozim të avokatit e mbështeti edhe i mbrojturi i tij, Viktor Sogojeva.

“E përkrah propozimin e mbrojtësit tim” – tha Viktor Sogojeva.

Po ashtu edhe i akuzuari Agron Berisha kërkoi që masa e arrestit shtëpiak t’i zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.

Propozimin e të akuzuarit e mbështeti edhe mbrojtësi i tij, avokati Bekim Kafexholli, i cili tha se i mbrojturi i tij për këto 4 muaj sa ka qenë në masën e arrestit shtëpiak ka treguar besueshmëri andaj do t’i përmbahet çdo mase alternative e cila do t’i caktohet.

Ndërsa prokurorja speciale Merita Bina Rugova propozoi që të refuzohet propozimi i mbrojtësve të të akuzuarve.

Mirëpo gjyqtari Vesel Ismaili tha se lidhur me ketë çështje do të vendosë jashtë seance.

Kujtojmë se kjo lëndë ka ardhur nga Gjykata e Gjilanit – Departamenti për Krime të Rënda.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 18.11.2021 në rrugën regjionale Gjilan-Prishtinë, në fshatin Parallovë (komuna e Novobërdës), të pandehurit si grup i organizuar kriminal kanë grabitur shumën e parave prej 996,271.24 euro dhe 46,780,00 dollarë amerikanë në dëm të të dëmtuarve – bankës “Pro Credit”, me seli në Prishtinë, dhe kompanisë “Besa Security”, me seli në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Gashi ka siguruar dhe vënë në shërbim automjetin e tipit “Volvo”, i pandehuri Milaim Lipovica si menaxher në kompaninë ‘’Besa Security” në Prishtinë ka përgatitur automjetin special për transportimin e parave të gatshme ashtu që i njëjti më 06.11.2021 pa dijeni të pronarit të kompanisë këtë automjet e dërgon te auto-servisi pronar i të cilit është i pandehuri Kushtrim Xhaka.

Tutje, sipas aktakuzës, së bashku me Kushtrim Xhakën ia vendosin pajisjen elektronike për çaktivizim të motorit nga distanca përmes teledirigjimit, dhe pastaj e testojnë brenda lokalit, e pastaj edhe në rrugët e Prishtinës. Ndërsa më 18.11.2021 të pandehurit me automjetin “Volvo” dhe një automjet tjetër “Zafira”, të pandehurit Agroni, Viktori, Nexhati përmes rrugës dytësore nga Prishtina shkojnë në fshatin Parallovë, dhe në një largësi prej rreth 200 metrave jashtë rrugës regjionale Prishtinë – Gjilan, e lënë të fshehur automjetin “Volvo” ndërsa me automjetin “Zafira” shkojnë në Gjilan.

Në aktakuzë thuhet se pasi e takojnë automjetin “Fiat”, i cili kishte grumbulluar paratë nga automatet bankare të vendosura në Ferizaj, Viti dhe Gjilan për t’i dërguar në selinë qendrore të “Pro Credit” në Prishtinë, me automjetin “Zafira” nga Gjilani i vihen pas në përcjellje. Pasi arrijnë në Parallovë, automjetin transportues “Fiat” e ndalojnë me teledirigjim, dhe motori i automjetit fiket. Më pas, ata me automjetin “Zafira” i dalin përpara automjetit “Fiat”, dhe nga automjeti dalin fillimisht të akuzuarit Viktor, Agron dhe Nexhat, të maskuar e të armatosur me armë të gjata “Kallashnikovë“.

Tutje, sipas aktakuzës, fillimisht i akuzuari Viktor e pastaj edhe të akuzuarit Agron dhe Nexhat fillojnë të shtien në parafango dhe pastaj në xham të shoferit të automjetit “Fiat” dhe arrijnë që shoferin dhe tre punëtorët e tjerë që gjendeshin në automjetin “Fiat” t’i nxjerrin nga vetura dhe t’i çarmatosin e t’i shtrijnë përtokë. Ndërsa nga automjeti “Zafira” del personi i katërt, duke iu bashkuar tre të pandehurve, dhe i pandehuri Nexhat hyn në automjetin “Fiat” përmes pultit të vendosur në “Fiat”, hap kargon e automjetit ku ishin të vendosura paratë, nga aty nxjerr 10 çanta të mbushura me para, të njëjtat i vendosin në automjetin “Zafira” dhe ikin nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, të njëjtit shkojnë te vetura “Volvo”, i vendosin çantat me para në automjetin “Volvo” nga automjeti “Zafira” dhe pastaj djegin veturën “Zafira” dhe me veturën “Volvo” vazhdojnë rrugën në drejtim të Prishtinës, ashtu që në fshatin Sllovi paratë i nxjerrin nga çanta, ndërsa çantat i hedhin skaj rrugës dhe vazhdojnë rrugën dhe kthehen në Prishtinë pas kësaj.

Në aktakuzë thuhet se veturën “Volvo” e dërgojnë dhe e lënë të braktisur në fshatin Harilaq afër aeroportit të Sllatinës, ku pas 3-4 ditëve ishte identifikuar dhe sekuestruar nga ana e Policisë së Kosovës. Andaj të pandehurit me veprimet e tyre të përbashkëta si grup i organizuar kriminal sipas aktakuzës të dëmtuarve – bankës “Pro Credit” dhe pronarit të kompanisë “Besa Security”, Abedin Hasanit, i shkaktojnë dëm material në shumën prej 996,271.24 euro dhe 46,780.00 dollarë amerikanë.

Për këto veprime të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale – pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar, sepse në bashkëveprim akuzohen se kanë kryer veprën penale – grabitja.

Sipas pikës II të pandehurit Viktor Sogojeva, Agron Berisha dhe Nexhat Muqolli akuzohen për veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Sipas pikës III të aktakuzës i pandehuri Agron Berisha akuzohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Ndërsa pika IV e aktakuzës e ngarkon të akuzuarin Viktor Sogojeva me veprën penale – importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse.