Grabiten një këmbimore dhe një postë në Prishtinë, rastet po hetohen nga Policia

Dy raste të grabitjes kanë ndodhur dje në kryeqytet.

Një grua dje rreth orës 16:45 ka raportuar se derisa ishte duke punuar në institucionin mikrofinanciar – këmbimore, kishte hyrë një person i panjohur i maskuar i cili nën kërcënim të thikës ia kishte grabitur një shumë të parave.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari pas grabitjes ishte larguar në drejtim të panjohur.

Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilat janë duke e hetuar rastin dhe nuk raportohet për të lënduar, ka njoftuar PK.

Mbrëmë rreth orës 19:05 në Prishtinë një punëtor ka raportuar se në filialin e postës ku ishte duke punuar kishin hyrë dy persona të panjohur, të maskuar, derisa njëri prej tyre kishte pas një pistoletë në dorë dhe nën kërcënim të armës nga fioku ia kishin marr një shumë të parave.

Të dyshuarit pas grabitjes ishin larguar në drejtim të panjohur, ka njoftuar Policia.

Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. Nuk raportohet për të lënduar.