Gra dhe fëmijë kosovarë arratisen nga kampet e Sirisë

Rreth 25 gra dhe fëmijë kosovarë, të afërm të pjesëtarëve të ISIS, janë arratisur nga kampet e Sirisë, qëkur Turqia dërgoi trupat ushtarake në Siri.

Bedri Elezi, drejtor i studimeve të sigurisë në Institutin për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, i cili ka ndihmuar në riatdhesimin e luftëtarëve shqiptarë nga zona e konfliktit në Siri, ka thënë për BIRN se rreth 25 gra dhe fëmijë janë arratisur nga kampet Al-Hawl dhe Ein Issa të Sirisë veriore.

“Për momentin ata janë në kufi me Turqinë, duke shpresuar të kalojnë dhe të vijnë në shtëpi”, tha Elezi.

“Qeveria e Kosovës duhet të qëndrojë në kontakt me atë të Turqisë dhe t’i kthejë ata. Rreziku nga kjo është më i vogël krahasuar me atë që këto gra dhe fëmijë mund të kthehen përsëri në ISIS”, shtoi ai.

Mediat kanë raportuar që 700 gra dhe fëmijë janë arratisur nga Ein Issa pas bombardimeve të bëra afër kampit dy ditë më parë.

Para ndërhyrjes së trupave ushtarake turke dy javë më parë, më shumë se 50 gra dhe fëmijë nga Kosova dhe rreth 52 fëmijë nga Shqipëria kanë qenë duke jetuar në kampe për muaj të tërë.

Pothuajse të gjitha gratë dhe fëmijët shqiptarë kanë qenë duke jetuar në kampin Al-Hawl, ndërsa ata nga Kosova ishin në kampet Al-Roj dhe Ein Issa.

Një i afërm i dy shqiptarëve që jetojnë në kamp ka thënë se i ka bërë apel kryeministrit Edi Rama për të bërë përpjekje për rikthimin e tyre në shtëpi.

“Përgjigja që mora ishte se ata nuk mund të bënin asgjë pasi çështja ishte e komplikuar dhe kishte nevojë të koordinohej me shtete tjera”, tha Xhetan Ndegjoni, i cili qe gjashtë vite ka tentuar të rikthejë mbesën dhe nipin e tij.

Ndregjoni tha se ishte i shqetësuar nga mesazhet e fundit që kishte marrë nga ta të hënën.

“Mbesa ime Eva, më shkruajti nga Al-Hawl e gjërat atje nuk ishin mirë fare dhe unë nuk di se çka do të sjellë më e ardhmja,” tha ai.

Raportet nga Al-Hawl, i cili ka pothuajse 70 mijë gra dhe fëmijë nga gjithë bota, thonë që situata në kamp është e vështirë, me përplasje mes disa grupeve, protesta të dhunshme dhe tentime të vazhdueshme për t’u arratisur.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, tha në një konferencë shtypi të hënën që ishte prioritet riatdhesimi i ushtarëve, grave dhe fëmijëve të ISIS nga Siria.

Yoruk tha se Turqia ishte duke shkëmbyer informata me qeverinë shqiptare, por nuk dha detaje të tjera se kur pritet të bëhet riatdhesimi.