Gordan Grlić Radman: Kroacia është kundër çfarëdo tentimi për ndryshimin e kufijve

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë Gordan Grlić Radman pas takimit me homologen kosovare, Donika Gërvalla tha që Kroacia dhe Kosova do ta thellojnë bashkëpunimin bilateral.

“Kroacia dhe Kosova, tradicionalisht vende miqësore të cilat kanë marrëdhënie bilaterale shumë të mira. Sot kam nderin që së bashku me koleget e mi të jem në Prishtinë. Kjo vizitë do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit bilateral”, tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, tha që vendi i tij e përkrah dialogun, por jo edhe tentativat për ndryshimin e kufijve.

“Kroacia është kundër çfarëdo tentimi për ndryshimin e kufijve. Kroacia do të punoj që vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë atë për t’i hapur Kosovës rrugën evropiane”, tha ai.

Sipas tij Kroacia po ashtu përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla tha që në takimin me homologun kroat biseduan për politikën e jashtme të dy vendeve.

“Falënderova homologun korat për mbështetjen që Kroacia ia ka dhënë Kosovës. Biseduam për prioritet e politikës se jashtme të Republikës së Kosovës si dhe për integrimet euroatlantike, për të përfituar nga përvoja dhe njohuritë e Kroacisë. Jemi të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin. Biseduam edhe për liberalizimin e vizave ku Kroacia është një mbështetëse e madhe”, tha ajo.