Branislav Nikoliç dhe Goran Vasileviç

Goran Vasileviç, anëtar i SPO-së, thotë se u rrah nga Branislav Nikoliç

Goran Vasileviç, i propozuar për komisioner nga partia “Sloboda, Pravda i Opstanak”, që udhëhiqet nga Nenad Rashiq, thotë se është sulmuar fizikisht mbrëmë në Shtërpcë nga Branizlav Nikoliç, ish deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e “Lista Serbe”.

Ai thotë se në momentin kur është takuar në rrugë me Branislav Nikoliçin, i cili kishte qenë i shoqëruar me 10 persona, është sulmuar fillimisht verbalisht e më pas edhe fizikisht direkt nga Nikoliç.

“Unë kam qenë në shoqëri të një miku tim shqiptar dhe një tjetër serb. Sapo jemi takuar me Branislav Nikoliçin, që ishte edhe me 10 persona tjerë, ai ka filluar të më shajë e ofendoj dhe menjëherë njëri nga ta më ka mbërthyer duke më bllokuar, e Nikoliç më kanë goditur direkt në fytyrë”, thotë Vasileviç, duke më sulmuar vetëm mua, shton ai.

“Çfarë ke kundër nesh, çfarë ke kundër Listës Serbe ti, e pse nuk na përkrahë neve”, citon Nikoliçin, i sulmuari Vasileviç.

Ndonëse KALLXO.com ka provuar të kontaktoj disa herë Branislav Nikoliçin nëpërmes telefonit, ai nuk është lajmëruar, sikur që të njëjtën e ka bërë edhe pas dërgimit të SMS-ve.

Vasileviç gjatë sulmit ka pësuar lëndime në kokë. Ai thotë se për këtë e ka njoftuar policinë në Shtërpcë, porse ata nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.

“Ata nuk guxuan të merren me rastin. Prandaj, kam lajmëruar policinë në Ferizaj”, thotë ai.

Zëdhënësi i policisë në Ferizaj, Agim Gashi e konfirmon rastin, porse thotë se tash për tash nuk mund të japin më shumë informacione. Ai nuk ka konfirmuar nëse Branislav Nikoliç, i akuzuar nga i dëmtuari Vasileviç, është intervistuar apo jo.

Ndërsa në raportin 24 orësh të policisë është përfshirë edhe ky sulm, por pa dhënë shumë detaje rreth tij.

“Tre të dyshuar meshkuj kosovarë janë shoqëruar në stacion policor pasi që të njëjtit dyshohet se kanë sulmuar fizikisht viktima mashkull kosovar. Viktimës i është ofruat tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili rekomandon që rasti të procedohet në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24 orësh të forcave të rendit.

Vasileviç, nga lëndimet e marra pas sulmit, ka kërkuar ndihmë mjekësore, për çka KALLXO.com posedon edhe raportin mjekësor.

Për rastin ka reaguar edhe kryetari i partisë (SPO)Nenad Rashiq. Në një bisedë për KALLXO.com, ai akuzon anëtarin e partisë Lista Serbe ndërsa thotë se nuk është hera e parë që ndodhin sulme ndaj anëtareve të partisë së tij.

“Vasileviç është aktivist i partisë tonë, është i propozuar për komisioner, por ende nuk është aprovuar sepse janë disa afate teknike, por ne besojmë që do të jetë komisioner nga partia jonë. Kjo nuk është hera e parë që ne sulmohemi. E dimë çfarë përfaqësimi ka Lista Serbe, pra kjo nuk është hera e parë që na ndodh. Nuk ndodh vetëm kundër partisë sime por edhe anëtarëve të partive tjera. Kjo po na ndodh para çdo procesi parazgjedhor”, deklaron Rashiq.

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se anëtari i partisë “Lista Serbe” nuk duhet të marr pjesë në zgjedhje pas sulmit, siç pretendon ai, që i është bërë anëtarit të partisë së tij.

“Unë e di që ka rregulla që e përcaktojnë se a duhet a po jo të marr pjesë në zgjedhje, ne vetëm dëshirojmë që ta ndalim këtë lloj sulmi apo presioni sepse nuk është hera e parë që po ndodh”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.