Foto: Kallxo.com

Goran Rakiq voton me letërnjoftim të Kosovës

Kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i është dashur që ta paraqesë letërnjoftimin e Republikës së Kosovës para komisionerëve në qendrën e votimit në shkollën teknike në Mitrovicë.

Ai ka shkuar në këtë qendër për të votuar bashkë me rreth 200 qytetarë tjerë në votimin më të madh kolektiv që është parë ndonjëherë.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com

Pas votimit, Rakiq ka thënë se pret fitore bindëse të Listës Serbe në këto zgjedhje.

Në orën 07:00, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka nisur simbolikisht procesin e votimit në Kosovë duke e hedhur vet votën e para në kuti në një qendër votimi në Prishtinë.

“E kreva obligimin tim kushtetues e qytetar. I ftoj të gjithë qytetarët dhe subjektet politike dhe komisioneret që në ditën e sotme të kenë kujdes. Pasi që procesi tani nga ky moment është në duart e tyre. Ta kemi parasysh që çka do që ndodhë gjatë ditës së sotme në fund të kësaj ditë do t’i faturohet Kosovës dhe jo atyre”, tha ajo.

Këto janë zgjedhjet e shtata më radhë për Kuvendin e Kosovës.

KQZ-ja ka certifikuar 25 subjekte politike (20 parti politike; 4 koalicione; dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1 067 kandidatë për deputetë (F 343; M 724).

Në këto zgjedhje numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 937 mijë e 868 votues, ndërkaq numri i qendrave të votimit është 895 me gjithsej 2 547 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar të mbajë disa konferenca gjatë ditës së sotme për të informuar lidhur me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje dhe ecurinë e procesit zgjedhor, në orën 08:00; 11:30; 15:30; 19:30 dhe për konferencën ku do të publikohen rezultatet preliminare KQZ-ja do të informojë më vonë.