Protesta në Rudarë, Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Goran Rakiq: Jemi mbledhur si përgjigje ndaj terrorit të qeverisë Kurti

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq i është drejtuar me një fjalim serbëve që u mblodhën në protestën e sotme në fshatin Rudarë të Zveçanit.

Fjalimin e tij, Goran Rakiq e nisi duke falënderuar për qëndresën e popullit në barrikada, si përgjigje ndaj terrorit, që sipas tij, përjetojnë çdo ditë nga Prishtina dhe presionet e Qeverisë Kurti.

Ai numëroi arrestimet e serbëve dhe listën, sipas tij, e fshehur për arrestim të serbëve në të ardhmen si dhe kërcënimet me vdekje.

“Faleminderit që përkundër motit të keq e me shi vazhdoni të jeni të qëndrueshëm. Pavarësisht sa është e madhe fuqia e cila na kërcënon deri në përmbushjen e kërkesave tona. Sot janë me ne të gjithë vëllezërit dhe motrat nga veriu i Kosovës por edhe nga Komunat jugore. Kur jemi të bashkuar dhe në harmoni zëri jone dëgjohet ne Bruksel, Berlin dhe Uashington” – është shprehur Rakiq.

Tutje, Rakiq shtoi se me anë të kësaj proteste, duan t’i dërgojnë porosi Prishtinës se duan paqe.

“Arsyeja pse jemi mbledhur sot në Rudarë të kryqi dhe në kalanë e Zveqanit është t’i dërgojmë porosi Prishtinës dhe mentorëve të tyre se jemi këtu dhe duam paqe, por njëkohësisht duam lirinë dhe nuk do dorëzohemi para atyre që duan të marrin çdo gjë që është serbe” – shtoi tutje lideri i listës serbe.

Rakiq tutje shtoi se krimi që po bëhet ndaj tyre është i tmerrshëm gjë që është edhe tregues i demokracisë së Albin Kurtit.

Serbë nga e gjitha Kosova por edhe Serbia janë mbledhur në fshatin Rudarë të komunës së banuar me shumicë serbe, Zveçan pas një proteste të thirrur nga i ashtuquajturi ‘shtabi i krizave nga veriu i Kosovës’

Qytetarët kanë përdorur parulla të ndryshme në kundërshtim të Qeverisë së Kosovës si dhe u bë thirrje për lirim të ish policit të arrestuar Dejan Pantiq. Protesta po mbikëqyret nga Policia e Kosovës, KFOR dhe Eulex.

Fillon protesta e serbëve në Rudarë – FOTO