Ilustrim

Goditi pushuesit me anijen në Jalë, arrestohet 37-vjeçari nga Tirana

Policia e Shtetit ka arrestuar një 37-vjeçar pasi dje me anije me motor në bregdetin e Jalës kishte goditur pushuesit në shezllone.

Policia ka sekuestruar edhe mjetin lundrues.

Rasti po trajtohet nga autoritetet si “Plagosja e rëndë me dashje”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme, në plazhin Jalë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin Gj. P., 37 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dy pushuesit që u pësuan lëndime nga goditja e mjetit lundrues aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin mjekësor.

“Shtetasi Gj. P., duke drejtuar mjetin lundrues tip gomone, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë në breg të detit duke dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin mjekësor. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton tutje policia e Shqipërisë.

Pamjet nga ky incident janë publikuar edhe në mediat e Shqipërisë të kapura nga kamerat e sigurisë.

Në këtë LINK mund të shikoni videon e publikuar nga OraNews