GLPS | Foto: Facebook

GLPS: Deklarata e Lekajt për ambasadorin e Zvicrës, skandaloze

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj për largimin e ambasadorit zviceran, Jean-Hubert Lebet duke e quajtur ‘skandaloze’

“Deklarata e Ministrit Lekaj ku ai kërkon largimin e Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë përveç që është skandaloze, është ofenduese për çdo vend vullnetmirë që kontribuon në zhvillimin e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Asnjë ministër i Republikës së Kosovës, apo çfarëdo zyrtari tjetër i lartë, nuk duhet të vë në dyshim sinqeritetin e një ambasadori të një shteti mik”, thuhet në reagimin  e tyre.

GLPS po ashtu thotë se deklarata e ambasadorit Lebet veçse përsëriti një të vërtetë të pakontestueshme të cilën në vazhdimësi e ka ngritur shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare.

“Kjo gjuhë ministrash mbetet tipike për shtetet që vuajnë nga autoritarizmi dhe i frikësohen kontrollit demokratik dhe të vërtetës së thënë nga miqtë. Kosova nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë asnjëherë e tillë. Një skandal i tillë i një ministri të qeverisë mund të cenoj seriozisht marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me popujt dhe shtetet që kanë dhënë shumë për të ndërtuar dhe zhvilluar shtetin e Kosovës, dhe të cilët nuk janë dorëzuar përballë abuzimit të pushtetit që po ndodh në Kosovë”, thuhet tutje.

Sipas tyre deklarata e Lekajt  është tregues që Qeveria e Kosovës nuk ka as minimumin e kujdesit ndaj përfaqësuesve diplomatik të shteteve mike, “dhe nuk është e interesuar të çmoj kontributin e tyre dhënë për kaq shumë vite ndaj shtet ndërtimit të Kosovës dhe jetësimit të kauzës për njohjen ndërkombëtare të shtetit tone”.

“Prandaj, i kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të kërkoj ndjesë për një skandal të tillë të Ministrit Lekaj, dhe t’ua bëj të qartë zyrtarëve të lartë vendor peshën e deklaratave të tilla publike. Ndërsa Ministrisë së Punëve të Jashtme i kërkojmë që t’i përmbahet misionit të saj dhe të mos shndërrohet në një trupë pasive ndaj skandaleve që dëmtojnë relacionet diplomatike të Kosovës me shtetet mike”, përfundon reagimi i GLPS.

Ambasadori zviceran, Jean Humbert Lebet të mërkurën gjatë një vizitë në Drenas tha se që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët.

Për këtë, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj mbrëmë në emisionin “Pressing” kërkoi largimin e tij.

“Nuk është ambasadori për me u marrë me ato. Publikisht para qytetarëve është e pakuptimtë me e lidhë një investim me një temë të ndjeshme, me veteranët e luftës. Sikur t’isha ai që marrë vendime, sot ia kisha dërgu letrën e largimit”, ka thënë ministri Lekaj.

Për deklaratën e Lekajt kanë reaguar edhe ambasadorët e Quint-it, që i dolën në krah ambasadorit zviceran, Lebet.