Glauk Konjufca, vizitën e parë si kryeparlametar e bëri në Shqipëri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca vizitën e parë si kryetar Kuvendi e ka bërë në Shqipëri.

Ai përmes një postimi në ‘Facebook’ ka njoftuar se në shtetin fqinjë, Shqipërinë, fillimisht është takuar me  Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

“Takimi me z.Ruçi shënon edhe një shtytje të rëndësishme në avancimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndërshtetëror. Prandaj, në një atmosferë të përzemërt dhe tejet vëllazërore, me z.Ruçi diskutuam për shkëmbimin e përvojave dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Konjufca.

Kryetari gjithashtu ka potencuar se në takim janë pajtuar për shumë gjera dhe se janë të përkushtuar që, siç thotë ai, kufiin e padrejtë mes Kosovës dhe Shqipërisë ka bëjnë sa më të padukshëm po edhe inekzistent në të ardhmen.

“Në takim dominoi pajtueshmëria e plotë dhe vullneti i dyanshëm për dinamizimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, harmonizimin e agjendave me interes mbarëkombëtar, bashkërendimin dhe unifikimin e hapave gjatë proceseve integruese rajonale dhe euro-atlantike të dy shteteve tona”, ka shkruar tutje.