Glauk Konjufca tregon çka do të ndodhë në seancën konstituive nëse s'ka marrëveshje me LDK-në

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka treguar se çfarë do të ndodh ditën e enjte, kur mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se nëse nuk do të ketë marrëveshje (me LDK-në), do të ketë vetëm betim të deputetëve.

“Nëse nuk do të ketë marrëveshje deri në orën 15:00 do të ketë vetëm betim. Pastaj për tjerat procedura mendoj që do të i shihni duke u shpalosur atë ditë. Nuk e përjashtoj mundësinë e votimit të kryetarit, nuk e përjashtoj as që po ajo masë të mos e votojë. Për Lëvizjen e Vetëvendosjes është jetike për me arrit një marrëveshje, ne deri në minutën e fundit do të bëjmë të gjitha që i kemi në dorë”, tha Konjufca në një debat në Televizionin Dukagjini.

Glauk Konjufca tha në po të njëjtin debat edhe se se për partinë e tij Vjosa Osmani do të ishte e pranueshme për postin e presidentit të Kosovës.

“Mendoj që përderisa jemi në opsionin A dhe ky opsion është presidenti jashtë bisedave, unë mendoj se është kot të flasim për emra. Nëse shkojmë në opsionin B të zgjidhjes dhe hyn edhe presidenti atëherë Lëvizja Vetëvendosje mendoj se nuk ka kurrfarë problemi me emrin e Vjosa Osmanit si presidente e Republikës së Kosovës në kuptimin e asaj çka ajo besoj se do të performonte”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk kanë arritur ende të kenë një marrëveshje për qeverisje.

Në marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm të qeverisë në mes të LVV-së dhe LDK-së pritet të përfshihet edhe çështja e presidentit të ardhshëm, i cili zgjidhet në pranverën e vitit 2021.

LDK kishte preferuar që para se të bëhej koalicioni mes tyre të merrej vesh edhe për çështjen e presidentit.

Konjufca: Për LVV-në, Vjosa Osmani është e pranueshme për presidente të Kosovës