Glauk Konjufca për mosnjohjen nga Xhamajka: Presidenti është ngutur

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi është ‘ngutur’ për kumtimin e lajmit për njohje nga Xhamajka.

Sipas Konjufcës, Thaçi as nuk e ka kontrolluar nëse lajmi është i vërtetë.

“Për herë të parë pas pavarësisë, Presidentit i është kumtuar një lajm që është marrë si i vërtetë por nuk është kontrolluar. Ka dalë pa notë verbale dhe kjo na ka shkaktuar shumë probleme. Është hera parë qe një lajm i tillë vjen pa notë verbale. Presidenti mendoj që është ngut me atë paraqitje”, ka thënë Konjufca në raportimin e tij para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

Konjufca ka thënë që në praninë e mediave kaq mund të deklarojë sa i përket ‘skandalit’ për njohjen nga Xhamajka.

“Kjo është kronologjia e ngjarjes. Kur ka dalë e kundërta ne kemi marrë vesh qe e tëra ka qenë në nivel të zotimit mes ambasadorëve. Kjo ka qenë, për diçka që keni më kritike më të ndjeshme, duhet të bëhet pa praninë e mediave, për shkak të raporteve mes të dyja vendeve”, ka theksua ai.

Më 20 shkurt të këtij viti, presidenti i vendit Hashim Thaçi dha lajmin për njohjen e Kosovës nga Xhamajka.

“Lajm i madh! Sapo jam njoftuar nga ambasadorja jonë, Vlora Çitaku, që Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës si sovrane dhe të pavarur. E di që kjo është rezultat i punës së palodhur dhe lobimit të disa viteve, përfshirë Eliot Engel. Punë e mirë. Faleminderit miq të dashur nga Kingston!”, ka shkruar Thaçi.

Mirëpo pak orë pas publikimit të këtij lajmi Kamina Smith, ministrja e Jashtme e Xhamajkës, ka reaguar duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, shkroi ajo duke iu përgjigjur presidentit Hashim Thaçi.

Ndërsa në sqarimin e tij Zyra për media e Presidencës tha se rreth këtij vendimi të diplomacisë së Xhamajkës, duhet drejtuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

”Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigje.

Tollovia me njohjen nga Xhamajka