Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në gjykatë - 20.02.2023 Foto: KALLXO.com

Glauk Konjufca pa avokat, dështon seanca gjyqësore ndaj tij për hedhjen lotsjellësit në Kuvend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është paraqitur sot në Gjykatën e Prishtinës, që të përballet me akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.

Seanca e sotme dështoi të mbahej pasi Konjufca nuk kishte avokat.

Sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, mbrojtja për veprat që rëndojnë është e obligueshme.

I pyetur nga gjyqtarja e rastit Edita Canta, se a ka autorizuar mbrojtje, kryeparlamentari Konjufca u përgjigj se jo, kështu do t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga ana e gjykatës.

Në sallë prezentë ishte edhe ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, në cilësi të dëshmitarit, i cili pasi mori lajmin se seanca po shtyhet dhe do të duhet të paraqitej përsëri, u përgjigj se Konjufca nuk ka hedhur gaz.

“Unë vi kurdo herë, po Konjufca nuk ka gjujt, tjerë janë ata që kanë gjujt, unë Albinin e kam pa” – tha duke qeshur Grabovci.

Afër Konjufcës, ulur pranë tij në sallë të gjykatës është parë edhe shoferi i kryeparlamentarit.


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në gjykatë – 20.02.2023
Foto: KALLXO.com

Kështu, seanca e radhës u caktua më datë 15 mars të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet për veprën përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Në aktakuzë përshkruhet se në seancën e kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Gjithashtu më këtë aktakuzë, Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në gjykatë – 20.02.2023
Foto: KALLXO.com

Glauk Konjufcës i publikohet aktakuza e vitit 2017 për lotsjellësin