Glauk Konjufca kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës

Deputeti i zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), është kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës, mëson KALLXO.com.

Ndërkaq nga LVV-ja nuk e kanë mohuar kandidaturën e Konjufcës.

Arlind Manxhuka, sekretar për media në këtë parti ka thënë për KALLXO.com, se janë në fazën e takimit me partitë politike.

“Jemi në fazën e takimit të subjekteve politike parlamentare, pas kësaj faze sigurisht në kohën e duhur vendoset edhe për pozicione të caktuara”, theksoi ai.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit do të mbahet të hënën më 22 mars.

Në këtë seancë, do të betohen deputetët si dhe do të zgjidhet Kryesia e re e Kuvendit.

Glauk Konjufca pritet që sërish të jetë kryekuvendar, pasi e njëjta pozitë i ishte besuar në Qeverinë Kurti 1, ndonëse postin e mbajti vetëm për disa javë, për t’u emëruar më pas ministër i Punëve të Jashtme.

Pas Konjufcës, kryetare e Kuvendit në legjislaturën e shtatë ishte zgjedhur Vjosa Osmani, pak minuta pasi ishte votuar Qeveria me kryeministër Albin Kurtin më 3 shkurt të vitit 2020.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Glauk Konjufca është kandidati i dytë më i votuar në listën e LVV-së me gjithsej 200 mijë e 646 vota, pas Vjosa Osmanit e cila ka marrë 300 mijë e 756 vota.

Vetëvendosje fitoi bindshëm zgjedhjet e 14 shkurti duke marrë mbi 50 për qind të votave, e rrjedhimisht duke siguruar 58 mandate në Kuvend.