Glauk Konjufca infektohet me COVID-19

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka njoftuar se është infektuar me COVID-19.

“Desha ta ndaj me ju faktin që jam diagnostifikuar me virusin COVID-19.  Kjo është një pandemi ndryshe nga të tjerat deri tash. Për ta mposhtur atë duhet bashkëpunim i secilit në koordinim me institucionet publike. Edhe një herë falënderimi shkon për mantelbardhët që ndodhen në frontin e luftimit të këtij virusi të rrezikshëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Konjufca ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat.

“Ju ftoj të gjithëve për kujdes dhe respektim të masave ashtu që ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë të keqe pandemike në vendin tonë”, thuhet në publikimin e tij.

KALLXO.com ka raportuar të dielën për grumbullin e njerëzve pas fitores së LVV-së në Podujevë, si dhe se si kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, kërkoi shpërndarjen e qytetarëve pasi të përfundojnë fjalimet.

Deri më tani në Kosovë nga COVID-19 kanë vdekur mbi 1,000 persona ndërkaq janë infektuar më shumë se 40 mijë.