Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Glauk Konjufca: Do ta kthejmë reciprocitetin me Serbinë

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në DebatPernime ka deklaruar se do ta kthejnë reciprocitetin me Serbinë.

“LVV së pari do ta aplikojë gjuhën e reciprocitetit në të gjitha sferat edhe në atë të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë atje, në mënyrë që shqiptarët që jetojnë atje të trajtohen njëjtë sikurse serbët që trajtohen këtu në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Më tej Konjufca ka thënë se edhe librat shqip do të dërgohen në Luginë me reciprocitet, pasi serbët që jetojnë në Kosovë i marrin librat nga atje.

“Nëse Serbia e pamundëson dërgimin e librave në Luginë, ne do të reagojmë me reciprocitet”, ka shtuar më tej ai.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje’, sonte janë të ftuar në #DebatPernime.

Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?

A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.