Gjysmë milion maska për 38 komuna të Kosovës

Zëvendeskryeministri i parë, Besnik Tahiri, së bashku me Ministrin e Shendetësisë, z.Armend Zemaj, në  një konferencë  për media kanë bërë të ditur se nga nesër do të bëhet shpërndarja e 500,000 maskave, 30,000 dezinfektuesëve, 5000 kominosheve dhe 10,000 mantilave në 38 komuna të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës të dërguar nga ZKM, kjo shpërndarje do të bëhet në bazë të kriterit të popullsisë për komunë dhe sipas urgjencës që e përcakton Ministria e Shëndetësisë.

“Falënderoj prof.Arianit Shehun për angazhimin e tij, popullin e Jordanisë dhe oborrin mbretëror të Mbretit Abdullah për ndihmën gjeneroze që na ofruan”, citohet të ketë thënë Tahiri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot nga 404 mostra të marra, 276 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

IKSHP-ja ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend kanë vdekur tetë persona të infektuar me coronavirus duke shkuar në 185 numri i vdekjeve në vend, të cilët kanë pasur edhe  sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërsa janë shëruar 153 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4,027 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3,201.