I akuzuari Nehrudin Skenderi pas dhënies së mbrojtjes në Gjykatn e Prishtinës më 18.11.2024.

I akuzuari Nehrudin Skenderi pas dhënies së mbrojtjes në Gjykatn e Prishtinës më 18.11.2024.

Gjyshi dëshmon në gjykimin e nipit të dënuar për financim të terrorizimit: I ka humbur fakulteti, nuk është fajtor

Në Gjykatën e Prishtinës ka dëshmuar Rasim Uka, gjyshi i të dënuarit për financim dhe lehtësim të terrorizmit Nehrudin Skenderit.

Tashmë gjykimi ndaj Skenderit po vijon vetëm sa i përket mjeteve monetare 20 000 Euro dhe 19 000 franga, të cilat hetuesia i kishte sekuestruar gjatë bastisjes dhe ishte vendosur të konfiskoheshin nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore të datës 30.01.2024 për pjesën e dënimeve, ndërsa për pjesën e konfiskimit të kësaj shume, rastin e ka kthyer për ta gjykuar përsëri.

Rasim Uka tha se nipi i tij nuk është fajtor dhe se për shkak se ka qenë në burg i ka humbur edhe fakulteti.

“Nipi im nuk ka bërë asnjë send keq, as nuk është fajtor, është që sa vite në burg, i ka humbë fakulteti që e ka pasë në përfundim. Ai është i arsimuar” – tha në cilësi të dëshmitarit, Rasim Uka.

Ai më tutje i kërkoj gjykatës që ta lirojnë nipin e tij, që ai, si i moshuar, të ketë kohë të kënaqet me të.

“Pse nuk e lironi? Unë jam afër vdekjes, njërën këmbë e kam në varr, një mbi tokë dhe të më lejoni që të kënaqem pak me nipin tim?” – vazhdoi tutje dëshminë, gjyshi i të akuzuarit.

Duke ju përgjigjur avokatit Tomë Gashi, Rasim Uka tregoi që i ka dy fëmijë, përfshirë një vajzë të martuar e cila jeton në Kuëait me bashkëshortin e saj që rreth 25-30 vite.

Ai më tutje tregoi se i kishte dhënë vajzës së tij ‘miraz’ (pajë që i jepet vajzës nga prindërit kur martohet) në formë të parasë 39,000 Euro, saktësisht 20,000 Euro dhe 19,000 Frangë, të cilat i kishte fituar nga shitja e një ngastre në Prevallë.

Pastaj duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit Bekim Kodraliu ai tha se këto para ja kishte dhënë vajzës së tij para rreth 5 viteve.

I pyetur se kur e kishte shitur këtë tokë dhe kujt ja kishte shitur ai tha se nuk i kujtohej.

Më tej dëshmitari Rasim Uka tregoi se pse një pjesë të parave e kishte shndërruar në franga.

“I kam ndërruar sepse kam të afërmit e mi kusheritë e mijë në Zvicër dhe kur shkoj atje, i ndërroj në franga, në qoftë shkoj në Austri, i ndërroj në monedha austriake, dhe njëjtë në Bullgari “ – tha Rasim Uka.

Më tej ai tha se nuk e dinte se çfarë kishte bërë vajza e tij me paratë që ai ia kishte dhënë.

Pas dëshmisë së Rasim Uka procedura vijoi me administrimin e provave materiale.

Prokurori Bekim Kodraliu tha se qëndrojnë pranë provave që i kanë propozuar edhe më herët.

Mbrojtja e përfaqësuar nga avokatët Tomë Gashi dhe Sylë Hoxha nuk pati ndonjë kundërshtim.

Gjykata i administroi edhe provat e dorëzuara nga dëshmitarja Amella Skenderi, ku pretendohet se pasqyrohen pagesat si dhe marrëveshja e shkruar me dorë ndërmjet Fehmi Beqaj dhe Amir Uka për shitjen e parcelës në Prevallë në shumë prej 39,000 euro, e dorëzuar nga dëshmitari Amir Uka gjatë deklaratës së tij.

Seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarit.

I akuzuari Nehrudin Skenderi deklaroi se shuma e parave e konfiskuar me aktgjykimin e shkallës së parë me kërkesën e prokurorisë nuk kanë qenë të tijat por të nënës, përkatësisht prindërve të tij.

Skenderi më tej tregoi se sa ishte në liri, punonte në një ëmbëltore të dajës së tij dhe gjithashtu ligjëronte rukje, të cilat shpjegoi se ishin shërim përmes kuranit.

“Pagesa që t’u ka bo për rukje a ka qenë vullnetare, përafërsisht sa ka qenë?” – e pyeti avokati Tomë Gashi.

“Ka qenë 15-20 Euro, në raste të caktuar edhe më e madhe” – u përgjigj i akuzuari.

Kurse lidhur me punën në ëmbëltore tha se paguhej rregullisht diku 300-400 euro në muaj.

Ai tha se nuk ka pasur dijeni për shumën e parave të mbajtur nga prindërit e tij dhe as nuk i ka ditur vendet ku janë mbajtur të njëjtat.

Ai më tutje tregoi se me kërkesë të prokurorisë vetura e konfiskuara e familjes së tij të cilën e voziste ai ishte kthyer.

Avokati Tomë Gashi e pyeti nëse ishte e logjikshme që vetura t’i kthehej e të konfiskoheshin paratë e prindërve të tij.

“Nuk është vetëm kjo çështje a palogjikshme, telefonin tim e kanë kthyer, e telefonin e vëllait jo” – tha i akuzuari Nehrudin Skenderi.

I pyetur nga prokurori Bekim Kodraliu nëse i kujtohej se gjatë periudhës që po flitet 2019 e tutje, a keni blerë banesë apo diçka si familje, tha se kishte blerë vetëm në veturë që më pas e kishte shitur, në ndërkohë e kishte blerë një tjetër, që po ashtu e kishte shitur dhe si përfundim e kishte blerë një veturë të tretë të fundit të tipit “Golf”.

“A keni ble naj banesë?” – specifikoi prokurori Bekim Kodraliu.

“Banesë kanë blerë prindërit e mi, banesa është e babait tim dhe e imja” – u përgjigj Nehrudin Skenderi.

I pyetur se me çfarë parash e kishin blerë, ai deklaroi se nuk e dinte se si e kishte blerë prindi i tij.

Në fund të deklarimit të tij ai tha se qëndron para deklarimeve të bëra para trupave shqyrtues paraprak dhe gjithçka që dëshiron ta shtojë do ta bëjë në fjalë përfundimtare.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje të: Valon Kurtaj, kryetar dhe anëtarët: Kujtim Krasniqi dhe Kushtrim Shyti.

Nehrudin Skenderi ishte deklaruar se ndihet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ardian Gjuraj, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Ergim Syla, ishin katër të dënuarit në shkallë të parë për terrorizëm, të cilëve Gjykata e Prishtinës u kishte shqiptuar mbi 30 vjet burgim më 30.01.2024.

Ardian Gjuraj ishte dënuar me 9 vjet burgim. Mentor Bellaqa ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj. Ergim Syla ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim. Kurse Nuhredin Skenderi ishte shpall fajtor për financim dhe lehtësim të terrorizmit, vepër për të cilën ishe dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë 5 mijë euro.

Gjykata e Prishtinës i kishte shpallur fajtorë Ardijan Gjuraj, Ergim Syla dhe Mentor Bellaqa se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Ardijan Gjuraj dhe Ergim Syla ishin shpallur fajtorë për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Mentor Bellaqa ishte shpallur po ashtu fajtor për veprën penale të Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Nehrudin Skenderi ishte shpallur fajtor për veprën penale të Lehtësimit dhe Financimit në kryerjen e terrorizmit.

Krahas dënimeve me gjobë dhe me burgim Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që të konfiskojë përgjithmonë sendet e luajtshme si mjete që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, të cilat ishin konfiskuar me vendimin e Gjykatës.

Ky aktgjykim në shkallë të parë ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje të: Valbona Selimaj Musliu – kryetare dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari.

Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 02.07.2024 e kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore të datës 30.01.2024 për pjesën e dënimeve ndërsa për pjesën e sekuestrimit të mjeteve monetare ndaj Nehrudin Skenderit çështjen penale e ka rikthyer në rigjykim dhe vendosje.

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar përkitazi me vendimin për konfiskim për Nehrudin Skenderin, ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të Kodit të Procedurës Penale, për çka aktgjykimi i ankimuar në këtë pjesë u anulua.

Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate u gjetën të bazuara pretendimet e mbrojtësve të Nehrudin Skenderit, të paraqitura në ankesat e tyre se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për konfiskimin e mjeteve monetare në banesën e Nehrudin Skenderit.

Për paratë në fjalë, përkatësisht 20 000 Euro dhe 19 000 Franga, nëna e Nehrudinit, Adella Skenderi potencohet të ketë deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë se të njëjtat i’a kishte dhënë si dhuratë babai i sajë nga shitje e një parcele toke në Prevallë.

Vendimi në shkallë të dytë ishte marrë nga kolegji në përbërje: Burim Ademi – kryetar, dhe anëtarët: Afërdita Bytyqi dhe Kreshnik Radoniqi.

Raportimet lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në LINK .