Gjyqtarja e bën prioritet rastin e “Veteranëve”, anulon seancën ndaj zyrtarit në Obiliq

Seanca gjyqësore ndaj Osman Stullqakut, ish-zyrtar i Komunës së Obiliqit nuk u mbajt sot.

Gjykimi i zyrtarit për keqpërdorim detyre nuk u mbajt për shkak të mungesës së gjyqtares Nushe Mekaj e cila është gjyqtare edhe në rastin e “Veteranëve”.

Në të njëjtën kohë sot pritet të mbahet edhe seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorime me lista të veteranëve të luftës.

Gjykatësja e çështjes Naime Krasniqi Kashancia tha se rasti i “Veteranëve” është prioritet për shkak se është ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

“Në mungesë të anëtares së trupit gjykues duhet të shtyhet gjykimi për shkak se sot është rasti i njohur “Veteranet” dhe si rast është i shënjestruar dhe ka përparësi në raport me lëndët e tjera”, tha ajo.

Të pranishëm në seancën ishin prokurori i rastit Arian Gashi, i akuzuari Osman Stullqaku me mbrojtësin e tij avokatin Ramiz Krasniqi si dhe eksperti financiar Xhevdet Krasniqi

Seanca e radhes u caktua për datën 14 shkurt 2020.

Sipas aktakzuës përgjatë viteve 2009-2013, i akuzuari Osman Stullqaku si kryetar i komisionit të Komasacionit në Komunën e Obiliqit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ose të shkaktimit të dëmit Ndërrmarjes bujqësore ‘’Shkabaj’’ ka tejkaluar kompetencat e tij dhe duke u shërbyer me vendime të viteve 80-ta ka mundësuar bartjen e parcelave disa personave fizikë përmes procesit të komasacionit .

Gjithnjë sipas aktakuzës, me procesin e komasacionit  është bërë tjetërsimi I parcelave  në vendet ‘’Breg-Gazimestan’’, ‘’Breg-Breg’’ dhe ‘’Breg’’ me të cilat tjetërsime të dëmtuarës ndërmarrjes ‘’Shkabaj’’ i janë  marrë 14 hektarë  e 42 ari e 86 metra  sipërfaqe tokësore në vlerë prej 620.060.00 euro.