Foto: KALLXO.com

Gjyqtarja dhe eksperti dalin në pronën e kontestuar, ku Komuna e Prishtinës po ndërton një shkollë

Gjyqtarja e Gjykatës së Prishtinës, Rrezarta Ajeti, bashkë me ekspertin e gjeodezisë, Ardi Simnica, kanë dalë më 01.08.2024 në vendin ku është prona e kontestuar, në lagjen “Kalabria” të kryeqytetit, ku Komuna ka filluar të ndërtojë një shkollë.

Gjyqtarja dhe eksperti kanë dalë për të vërtetuar gjendjen faktike të pronës.

Eksperti i gjeodezisë në prani të gjyqtares dhe palëve të përfshira ka identifikuar gjendjen momentale të pronës.

Raporti i ekspertizës sipas afatit kohor që parasheh Gjykata duhet të jetë gati pas 15 ditësh dhe mbi bazën e këtij raporti dhe provave të tjera që kanë ofruar palët kundërshtuese do të merret vendimi për masën e sigurimit.

Të pranishëm në vend-shikim ishin edhe palët të cilat kanë paditur Komunën e Prishtinës, Visar Ahmeti dhe Florim Canolli, me përfaqësuesit e tyre, Ekrem Agushi dhe Shemsedin Thaqi, përfaqësuesi i Jovan Stankoviqit, Ragip Zeneli dhe përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Rina Govori.

Më verifikimin e gjendjes nga eksperti i gjeodezisë, gjyqtarja Ajeti kërkoi nga përfaqësuesit nëse kanë vërejtje lidhur më procesin e verifikimit dhe të njëjtit deklaruan se nuk kanë vërejtje.

Ndërkaq, avokati Ragip Zeneli në vend-shikim foli për provën materiale që ka siguruar ndërhyrësi kryesor, Visar Ahmeti.

“Pala paditëse ka siguruar një provë materiale me shkrim nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, e datës 24.07.2024 dhe më aktvendimin e kësaj Agjencie obligohet drejtori për gjeodezi që të vendosë sipas kërkesës së palës në afat prej 15 ditësh në bazë të ligjit dhe dokumentacionit që ka paraqitur pala”- deklaroi përfaqësuesi i Jovan Stankoviqit.

Ndërsa, përfaqësuesi i Visar Ahmetit, Ekrem Agushi, njoftoi për ndryshimet që janë bërë në këtë pronë nga koha kur gjykata ka dalë në vend të ngjarjes në vitin 2014.

“Më marrjen e kësaj prove me ekspert të gjeodezisë u konstatua se gjendja ekzistuese faktike e paluajtshmërisë kontestuese në krahasim me gjendjen që është bërë me daljen e gjykatës në vitin 2014 ka ndryshuar”- deklaroi avokati Ekrem Agushi.

Shemsedin Thaqi, i cili përfaqëson Florim Canollin, kërkoi nga eksperti që të përshkruajë gjendjen faktike jo vetëm ndërtimin e shkollës, por edhe objektet e tjera ndërtimore, të cilat janë të ndërtuar në ngastrën kontestimore si dhe t’u referohet të dhënave kadastrale që i posedon shteti i Kosovës.

Kurse përfaqësuesja e Komunës  së Prishtinës, Rina Govori, kishte një kërkesë për ekspertin e gjeodezisë që sipas saj do duhej të merren parasysh gjatë përpilimit të raportit.

“Kërkojmë nga gjeodeti që me përgjegjësi të identifikojë saktë koordinatat së bashku me pjesën tekstuale të kësaj ngastre kadastrale ku komuna e Prishtinës është titullare e të njëjtës që nga viti 1978”- ka thënë Govori.

Lidhur me këtë pronë, më 25.07.2024 në Gjykatën e Prishtinës ishte mbajtur seanca për propozimin e masës së sigurisë. Këtë masë e kishin propozuar pala paditëse, Visar Ahmeti  dhe Jovan Stankoviq, përmes përfaqësuesve të tyre.

Në këtë seancë ishin prezantuar provat materiale nga përfaqësuesi i paditësit Jovan Stankoviq, Ragip Zeneli dhe ndërhyrësve Visar Ahmeti më përfaqësuese, Ekrem Agushi dhe Florim Canolli i përfaqësuar nga Shemsedin Thaqi.

Përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Rina Govori, kishte kundërshtuar në tërësi propozimin për caktimin e masës së sigurisë me arsyetimin se nuk ka asnjë provë materiale për vërtetim të pretendimeve me të cilën është bërë kërkesa.

Përfaqësuesi Ekrem Agushi në seancën e datës 27.05.2024 kishte propozuar nxjerrjen e provave me ekspertizë të gjeodezisë në identifikimin e të gjitha të dhënave lidhur me këtë pronë.