Gjyqtari Shala: Në vitin 2021 janë iniciuar 11 procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për gabimet e gjyqtarëve dhe ndikimet e tyre në sistemin e drejtësisë.

Afrim Shala, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, ka bërë të ditur se në vitin 2021 janë iniciuar 11 procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve.

“Kemi tri raste, ku është shqiptuar vërejtje publike me shkrim ndaj gjyqtarëve, kemi katër raste ku është shqiptuar vërejtje publike me shkrim ndaj gjyqtarëve, kemi rast kur është zvogëluar paga prej 30% në periudhën kohore prej gjashtë muaj deri në një vit. Kemi rast kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që të transferojë një gjyqtar në mënyrë të përhershme në një divizion, departament të caktuar”, ka thënë Shala.

Gjyqtari Shala ka thënë se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës është paraparë që gjyqtari mund të largohet nga detyra vetëm në qoftë se bën shkelje të rënda disiplinore ose në qoftë se kryen vepra penale të natyrës së rëndë. “Mendoj që në këtë drejtim ndoshta do të duhej që të ndryshohet edhe korniza ligjore në mënyrë që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës apo mekanizmat e tjerë, presidentes t’i mundësohet një qasje më proaktive në këtë drejtim”, tha gjyqtari i Gjykatës së Apelit.

Shala ka folur edhe për mundësinë e ndryshimit të rregullores së Këshillit Gjyqësor.

“Këshilli Gjyqësor në të ardhmen duhet të rishqyrtojë këtë rregullore dhe në të ardhmen të rigjykojë mundësinë që edhe qytetari, i cili e konsideron veten të dëmtuar të shfrytëzojë të drejtën e ankesës qoftë ndaj vendimit për hedhje nga ana e kryetarit të gjykatës, qoftë ndaj vendimit që ka vendosur Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, tha ai në “Kallxo Përnime”.