Lajm i Fundit, Coronavirus

Gjyqtari në Gjakovë infektohet me COVID-19

Në Gjykatën e Gjakovës është konfirmuar rasti i parë me COVID-19.

Zëdhënësi i Gjykatës, Lekë Muqaj,  tha se një gjyqtar ka informuar gjykatën se pas testimeve të kryera ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Muqaj sqaroi se menjëherë kur janë njoftuar nga gjyqtari kanë lajmëruar Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe janë njoftuar stafi që kanë pasur më shumë kontakt me gjyqtarin.

Sipas tij i gjithë stafi që dyshon se ka pasur kontakt me gjyqtarin janë janë në vetizolim duke pritur udhëzimet nga IKSHP-ja për testime.

“ Pasi që gjyqtari na ka njoftuar se ka rezultuar pozitiv me COVID-19, ne kemi njoftuar stafin dhe janë lajmëruar ata punonjës të cilët kanë pasur kontakt me gjyqtarin dhe kanë shkuar në vetizolim “, tha ai.

Zëdhënësi Muqaj ka thënë se Gjykata e Gjakovës tashmë po punon me 40 për qind të stafit, ndërsa gjyqtarët që tashmë kanë caktuar seancat dhe nuk kanë pasur mundësi t’i anulojnëm do t’i mbajnë këto seanca gjyqësore.

“ Kemi reduktuar stafin, dhe Gjykata do të trajtojë raste, do të punojë më palë që janë të domosdoshme dhe do të mundohemi që të vazhdojmë punën që të mos bllokohemi në tërësi “ tha Muqaj.

Në Kosovë që nga data 13 mars deri më sot janë konfirmuar gjithsej 2,799 raste në total me COVID-19, dhe janë shënuar 49  vdekje.

Aktualisht në Kosovë janë 1,244 raste aktive me COVID-19.