Gjyqtari, Naser Foniqi obligon mediat që të ja fshehin identitetin zyrtarit institucional i akuzuar se i dha ndihmë pas kryerjes së veprës penale Shkumbin Sekiraqës
Gjyqtari, Naser Foniqi i cili është caktuar që të gjykoj rastin e Shkumbin Sekiraqës dhe M. H. për rastin e tentimvrasjes në mars të viti 2024 ndaj Pajtim Gashit, i obligoi mediat që mos t`i publikohet emri dhe fytyra e zyrtarit institucional.
Kjo pasi avokati Ilaz Rudaku i cili mbron të akuzuarin M. H., për ndihmë pas kryerjes së veprës penale, ka kërkuar nga gjyqtari që të udhëzohen mediat që të bëjnë publikimin vetëm me inicialet e të akuzuarit.
Sipas avokatit të tij, M.H është zyrtar i një institucioni publik.
“Me respekt do të kërkoja pasi që i mbrojturi im është zyrtar i cili punon në institucione publike do të kërkonim nga ju që mos të publikohet emri në media së paku të shkohet vetëm në incialet e tij marrë parasysh edhe faktin që i njëjti fare nuk ka të bëjë me këtë rast”- ishte propozimi i Rudakut.
Këtë deklarim të Rudakut e konsideroi si të bazuar gjyqtari, Foniqi duke shtuar si arsye se ekziston prezumimi i pafajësisë ndaj të pandehurit.
“Kërkojmë nga të pranishmit në sallë qoftë mediat, qoftë të tjerët që të akuzuarit M. H., mos t`i përmendet emri avokati i ka arsyet e veta çdo person që ngritet një aktakuzë vlen parimi i prezumimit të pafajësisë, kështu që të akuzuarit M.H. sipas kërkesës së mbrojtësit të tij mund t`i shënohen vetëm incialet ”- obligoi mediat gjyqtari Foniqi.
I akuzuari M. H. nuk ka pranuar fajësinë, po ashtu Shkumbin Sekiraqa i akuzuar për tri vepra penale nuk e ka pranuar fajësinë.
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.
“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M. H., ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalë “paja shoq a po më njeh mua” ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.
Dosja e prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondakt të armës.
“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij”- përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.
Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.
“Çka kam thënë në polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj tani nuk dua të deklarohem më. Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më datë 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.
E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartëpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.
“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është ofru dhe më ka thënë “pse po më këqyrë” ka filluar të më shaj me fjalë banale “çka k… po më këqyrë”, i kam thënë nuk jam ka të këqyri o vlla po shko rrugës tande, ai më ka thënë se ‘je ka më këqyrë shtremtë’, pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë vetura e ka pas derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbante derën çelë, mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë derën ka dalë nga vetura është nis në drejtim të tij nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”- ka shpjeguar Pajtim Gashi në prokurori ngjarjen e marsit.
Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.
“Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në polici nuk ka arritur që ta identifikoj Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosje.
Si i bashkëakuzuar në këtë rast është edhe M. H., i cili ngarkohet se i ka dhënë ndihmë Shkumin Sekiraqës pasi është këryer vepra penale duke e fshehur në garazhën e tij veturën audi a7 e që në dekalratën e dhënë në polici kishte thënë se të njëtjën veturë e ka shitur.
Ky rast del të jetë si fillesë e problemit mes familjes Gashi e Sekiraqa, pasi më 01.09.2024 kishte pasur shkëmbim me armë të zjarrit mes disa personave ku një person kishte ndërruar jetë e 5 të tjerë kishin mbetur të plagosur.
Si i plagosur në rastin e datës 01.09.02024, është edhe babi i Shkumbin Sekiraqës, Salih Sekiraqa.
Raportimet e KALLXO.com – LINK