Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Burim Ademi: Sistemi gjyqësor ka të meta
Gjyqtari në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit, Burim Ademi, ka thënë në emisionin “Kallxo Përnime” se sistemi gjyqësor ka të meta.
Në emisionin që i kushtohet luftës speciale kundër korrupsionit Ademi tha se sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor nuk janë perfekt.
“Pa diskutim që ka të meta brenda sistemi gjyqësor. Ne asnjëri, as sistemi prokurorial dhe as sistemi gjyqësor nuk mund të themi se jemi në nivelin perfekt”, tha Ademi.
“Ne jemi në proces të vazhdueshëm të avancimit të kapaciteteve dhe rrjedhimisht ka një ngritje të lehtë pozitive por a do të na rezultojë edhe më tutje që do të vijmë pas fundit të vitit 2022 p.sh. të krahasojmë vitet tjera paraprake kjo mbetet të shihet”, tha më tutje ai.
Ndërsa në lidhje me statistikat për aktgjykimet dënuese ku janë dënuar vetëm 40 % e të akuzuarve për vepra penale korruptive, ai tha se nuk mund të tregojë se a është statistikë e mirë apo jo.
“Sa i përket çështjes në lidhje me statistikën sa i përket Prokurorisë Speciale në raport me veprat penale të natyrës së korrupsionit, nuk do të mund të specifikoj ekskluzivisht se a është statistikë e mirë apo nuk është”, u shpreh Ademi
Sipas tij, gjykata duhet të jetë e kujdesshme në çështjet e trajtimit të lëndëve për të vërtetuar saktësisht fajësinë dhe në mënyrë të plotë.
“Ndërsa te veprat penale të korrupsionit është e vërtetë se janë vepra më të komplikuara për tu hetuar dhe është më problematike për tu provuar”, tha më tutje ai.