
Foto: KALLXO.com
Gjyqtari i angazhuar në trajnim jashtë vendit, anulohet seanca për rastin "Veteranët"
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është anuluar seanca e së mërkurës, më 12.02.2025, për rastin e njohur si “Veteranët”, në të cilin rast të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës thuhet se seanca është është anuluar për shkak të një trajnimi jashtë vendit të kryetarit të Trupit Gjykues, Gazmend Bahtiri.
“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PKR.nr.241/2022 e caktuar për atë 12.02.2025, në ora 09.30, sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është anuluar, për shkak të një trajnimi jashtë vendit të Kryetarit të Trupit Gjykues.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor është caktuar më 17.03.2025, në ora 09.30.
Të akuzuarit e lartcekur po akuzohen se si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni, duke ua mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së, që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.
Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës nga Trupi Gjykues, i përbërë nga gjykatësit: Gazmend Bahtiri (kryetar i Trupit Gjykues) dhe Kushtrim Shyti e Ngadhnjim Arrni (anëtarë).
Ndërsa, Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Valdet Gashi.
Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t’u gjykuar përsëri, pas Vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.
Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, në krye me Agim Çekun, për “keqpërdorim të detyrës” gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës.
Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror.
Gjithnjë sipas Aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.
Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik, pasi Prokurori i cili e kishte hetuar Dosjen e Veteranëve ishte larguar nga Kosova.
Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre, pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.
“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% të provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me ‘përvojë të jashtëzakonshme ushtarake’ pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe.” – kishte shkruar Blakaj.