Gjyqtarët në trajnim, dështon seanca për rrahje në Gjakovë

Gjykimi ndaj Musë Gjergjajt, i akuzuar për shkaktim të lëndimeve trupore ndaj Kujtim Zararit, është shtyrë për datën 22 tetor.

Shkak i shtyrjes ishte se disa nga gjyqtarët e gjykatës së Gjakovës gjendeshin në një trajnim, e ndër ta edhe gjyqtarja e rastit Diana Sina.

Sot, planifikohej të mbahej seanca fillestare, ku i akuzuari Musë Gjergjaj duhej të përgjigjej kundrejt akuzave të Prokurorisë.

Prokuroria shefin e administratës së QKMF-së, në Gjakovë, Musë Gjergjajn, po e akuzon për shkaktim të lëndimeve të lehta trupore ndaj drejtorit të QKMF-se, Kujtim Zararit.

Sipas aktakuzës, në qershor të vitit 2017, në QKMF-në në Gjakovë, i akuzuari Musë Gjergjaj i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Kujtim Zararit.

Aktakuza shpjegon se fillimisht ata janë fjalosur mes vete për konkursin e atëhershëm për Krye-shef, e më pas i akuzuari Musë Gjergjaj e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Kujtim Zarari.

“Duke e kapur për fyti e goditur me grushta në fytyrë, Kujtim Zarari alivanoset”, thuhet në aktakuzë.

Edhe seanca e kaluar nuk ishte mbajtuar, për shkak të mungesës së avokatit të të akuzuarit.