I akuzuari Manuele Camozzato gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Prishtinës, 04.11.2024. Foto | Kallxo.com

I akuzuari Manuele Camozzato gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Prishtinës, 04.11.2024. Foto | Kallxo.com

Gjyqi për ambiciet e investitorëve italianë në Kosovë që përfunduan me akuzë për mashtrim, deklarohet i dëmtuari

Tre shtetas italianë, njëri në cilësinë e të akuzuarit dhe dy në cilësinë e të dëmtuarve, po përballen në Gjykatën e Prishtinës për një rast për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës po pretendon të ketë pasur mashtrim në vlerë 500 mijë euro.

Në seancën e datës 04.11.2024 ka dhënë dëshminë Francesco Iavazzi, i cili sipas Prokurorisë është personi i dëmtuar nga i akuzuari Manuele Camozzato në vlerën e lartcekur.

Fillimisht Iavazzi tregoi se si i erdhi ideja për të investuar në Kosovë në trajtimin e mbeturinave.

Ai tha se veçse i kishte disa ndërmarrje që merreshin me mbledhjen dhe distribuimin e mbeturinave në Itali.

“Kam qenë i kontaktuar nga një ndërmarrës italian nga Perugia, Andrea Capolicci, i cili kishte raporte me një slloven, Ivan Latusa, e ky kishte raporte edhe me një familje në Kosovë, me Fadil Kaçandollin, i cili kishte nevojë ta kishte një ndërmarrje që të merrej me mbeturina” – deklaroi Francesco Iavazzi.

Ai tha se Fadil Kaçandolli ia kishte shpjeguar perspektivën e investimit në Kosovë dhe me një fjalë, siç u shpreh Iavazzi, e kishte bindur se ishte e nevojshme hapja e kësaj ndërmarrjeje.

Ai shpjegoi se roli i tij përveç përvojës ishte edhe sigurimi i një pjese të parave, pasi që ishte aksionari kryesor me kuotën prej 51%.

Ai tha se Fadil Kaçandolli nuk u bë pjesë e shoqërisë dhe në vend të tij kanë hyrë dy persona të tjerë, të cilit i kishte futur Fadili Kaçandolli, përkatësisht i akuzuari Manuele Camozzato dhe Reshat Azemi.

Për këtë të fundit, Iavazzi tha se vonë e mësoi se ishte vëllai i Fadil Kaçandollit.

Francesco Iavazzi tha se kishte transferuar para në vlerën e përgjithshme 500 mijë euro në llogarinë bankare në Kosovë të “Iavazzi” Sh.P.K. dhe ndërkohë kishte sjellë edhe 20 kamionë nga Italia po në kuadër të “Iavazzi” Sh.P.K.

Ai tha se kishte vërejtur se diçka nuk po shkonte siç duhet kur në janar të vitit 2019 djali i tij së bashku me inxhinierin kishin ardhur që të nisin punën por kishin konstatuar se kamionët nuk ishin të regjistruar në emër të kompanisë “Iavazzi” Sh.P.K.

Sipas të dëmtuarit, përmes telefonit Fadil Kaçandolli i kishte bërë me dije djalit të tij se në rast se nuk i sjellë babai paratë puna nuk do të fillojë. Kështu i njëjti i kishte realizuar dy pagesa nga shteti i Serbisë, një pjesë nga një konto private dhe një pjesë nga një shoqëri serbe, e regjistruar në emrin e tij.

Francesco Iavazzi përsëriti disa herë se nuk e kishte autorizuar asnjëherë bashkaksionarin me 19% të aksioneve Manuele Camozzato që të kryente tërheqje në bankë, dhe tha se çështja e tërheqjes së mjeteve ishte një aspekt i paspecifikuar në marrëveshjen ndërmjet aksionarëve.

“A jeni i informuar se Manuele ka qenë i autorizuar nga Reshat Azemi?” – e pyeti prokurori Burim Çerkini teksa ia kujtoi se sipas regjistrimit në ARBK drejtor ishte Reshat Azemi.

“Jo” – mohoi Francesco Iavazzi.

I dëmtuari tha se “Iavazzi” Sh.P.K. nuk kishte qenë asnjëherë funksionale në Kosovë dhe se nuk e di se ku kanë përfunduar 500 mijë euro të cilat i kishte investuar si kapital fillestar përkitazi me marrëveshjen me aksionarët e tjerë.

Ndërkohë Fracesco Iavazzi tha se kamionët e tij të cilët i kishte sjellë nga firma e tij “Impresud” në Itali tashmë kanë përfunduar në dy firma në Kosovë.

Por prokurori Burim Çerkini tha se si Prokurori nuk kanë gjetur elemente që pjesa e kamionëve është pjesë e mashtrimit, ndërsa pjesa e parave po, duke bërë me dije se pjesa e kamionëve nuk është pjesë e objektit të aktakuzës.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, tha se Francesco Iavazzi më shumë është trajtuar si i dyshuar se i dëmtuar.

Rudari e pyeti Iavazzin, ndër të tjera, nëse Camozzato dhe Azemi kishin transferuar para në këtë shoqëri. Gjë për të cilën i dëmtuari tha se nuk kishte njohuri.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Naim Rudari, Iavazzi tha se vlera monetare e 20 kamionëve ishte 2 milionë euro, këto së bashku me 500 mijë eurot që kishte transferuar kishin realizuar kuotën e tij si aksionar prej 2.5 milionë eurove.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fitim Malokaj, ndër të tjera e pyeti Francesco Iavazzin nëse kamionët kishin ndonjë kufizim ligjor në Itali, gjë të cilën i dëmtuari e mohoi.

“Në mënyrë të pashpjegueshme gjykata vepron për paratë dhe jo për kamionët” – shtoi Francesco Iavazzi.

Vërejtjen lidhur me objektin e aktakuzës pati edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, i cili tha se duhet të ndryshohet dhe të përfshihen edhe kamionët.

Më tej avokati Fitim Malokaj e pyeti nëse transferin e parave e kishte bërë vetë apo kishte edhe ndonjë avokat të përfshirë.

Francesco Iavazzi tha se transferin e kishte bërë vetë dhe ndonjë avokat nëse kishte kryer ndonjë veprim kishte vepruar vetëm me autorizimin dhe në emër të tij.

Më tej avokati Malokaj e pyeti se si kishte bërë transfer nga Serbia në Kosovë derisa nuk e dinte që është hapur llogari në emër të kompanisë së tij.

“Unë e di që hapen llogari të përkohshme për një transferim dhe mbyllen” – u përgjigj Francesco Iavazzi.

“A e ke pyetur ndonjëherë Manuelen qysh e ka hapë këtë llogari?” – e pyeti ndër të tjera avokati Fitim Malokaj.

“Jo. Por mendoj që nëpërmjet administratorit të shoqërisë Reshat Azemi” – u përgjigj Iavazzi.

Më tutje ai tha se nuk e kishte njoftuar askush që kishte pasur kartelë bankare dhe se nuk kishte qenë i pranishëm kur ishte hapur llogaria.

Iavazzi duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Malokaj tha se nuk kishte paguar asnjëherë asnjë avokat, kontabilist, magazinë sepse aktiviteti në Kosovë nuk kishte filluar asnjëherë.

Një diskutim gjatë gjykimit u ndërlidh edhe me prezencën në publik të një personi me emër “Angjello” Shaban Dernjani, i cili fillimisht iu prezantua gjyqtarit Valon Kurtaj që kishte ardhur në gjykim së bashku me përkthyesin e italishtes Oliver Sedaj.

Por më vonë tha se kishte ardhur së bashku me të dëmtuarin Francesco Iavazzi të cilin e kishte marrë nga aeroporti.

Prezenca e tij u kundërshtua nga avokati Fitim Malokaj, i cili tha se i njëjti duhet të përjashtohet nga salla pasi kishte qenë ndërmjetësues në rast dhe kishte potencial për të qenë dëshmitar.

Kështu kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, kërkij që “Angjello” Shaban Dernjani ta lirojë sallën.

Francesco Iavazzi shtoi gjithashtu se qëndron pranë dëshmisë së dhënë më 09.08.2021 para Prokurorisë.

Ky rast po gjykohet nga trupit gjykues në përbërje të Valon Kurtajt – kryetar dhe anëtarëve Lufti Shala e Rrahman Beqiri.

Në seancë përveç përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Naim Rudari, ishte i pranishëm edhe avokati tjetër po në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Hamid Bula.

Në këtë seancë ishin paraparë të dëgjoheshin dy të dëmtuarit, babë e bir, Francesco dhe Armando Iavazzi, por kërkesa e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Fitim Malokaj, ka bërë që për shkaqe shëndetësore të këtij të fundit seanca të ndërpritet.

Kjo nënkupton se më 23.01.2025 Armando Iavazzi do të udhëtojë sërish nga Italia drejt Prishtinës për të dhënë dëshminë e tij para Gjykatës në cilësinë e të dëmtuarit – dëshmitar, si një nga dëshmitarët kyç të Prokurorisë.

Çka përmban aktakuza?

Sipas aktakuzës së ngritur më 23.11.2023 nga prokurori special Burim Çerkini, shtetasi italian, me vendqëndrim në Vushtrri, Manuele Camozzato ngarkohet me veprën penale – mashtrimi.

Sipas organit të ndjekjes, në vitin 2018 i akuzuari Camozzato me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm nga llogaria e kompanisë “Iavazzi” Sh.P.K., me seli në Prishtinë, ka tërhequr shumën prej 500 mijë euro.

Këtë specifikohet ta ketë bërë pa pëlqimin dhe autorizimin e aksionarit kryesor, tani të dëmtuarit Francesco lavazzi.

Prokuroria pretendon se tërheqjen Camozzato e ka realizuar duke përpiluar një dokument për huazim te mjeteve, ashtu që përmes dy transfereve bankare, njëri i datës 25.07.2018 fillimisht ka tërhequr shumën prej 360 mijë euro, kurse në transferin e dytë të datës 10.10.2018 ka tërhequr shumën prej 140 mijë euro.

Mjetet në fjalë thuhet të ishin deponuar nga i dëmtuari Francesco Iavazzi, me destinim për kompaninë “Iavazzi” Sh.P.K., në emër të kapitalit të kompanisë, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga ana e të dëmtuarit dhe të pandehurit për themelimin e kompanisë “Iavazzi” Sh.P.K.

Pas tërheqjen së kësaj shume të parave nuk dihet se ku kanë përfunduara këto para.

Gjithnjë sipas Prokurorisë Speciale, me këto veprime Manuele Camozzato i ka shkaktuar dëm financiar tani të dëmtuarit Francesco Iavazzi në vlerë prej 500 mijë euro.