Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, dëshmitari pretendon se pa persona në gjendje të rëndë pasi ishin ndaluar nga UÇK

Dëshmitari i gjashtë i Prokurorisë Speciale ka nisur dëshminë në gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Dëshmitari i gjashtë, i koduar me shifrën 4355,  i Prokurorisë Speciale, ka nisur dëshminë në gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari i mbrojtur ka rrëfyer për personin me numër 2 që, sipas tij, ishte ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së si i dyshuar për spiun.

Dëshmitari fillimisht ka konfirmuar se personi 1 kishte parë ndalimin e personit 2 dhe ka treguar se personi 1 ishte në gjendje të keqe, i rrahur.

Dëshmitari më tej ka rrëfyer se personi 1 ishte ndaluar për shkak se kishte dyshime se ishte bashkëpunëtor i Serbisë, spiun.

Prokurori: Personi 2 a të ka thënë ty në çfarë gjendje ishte personi 1 kur janë takuar?

Dëshmitari: Jo në gjendje të mirë.

Prokurori: Çfarë të ka thënë?

Dëshmitari: I rrahur.

Prokurori: Pse e kishte ndaluar personin 1?

Dëshmitari: I kanë thanë se është bashkëpunëtor i Serbisë, spiun.

Duke vijuar dëshminë, dëshmitari ka përshkruar se pasi personi 2 kishte mbërritur në shtëpi, ai kishte vënë re se ai ishte në gjendje të rëndë.

“Pasi ka ardhë në shtëpi kemi hy brenda, krytë e ka pasë të çamë, fytyrën e ka pasë të zezë edhe trupin të mavijosur”- ka deklaruar ai.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme ka përfunduar. E njëjta do të vijojë edhe nesër.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.