(Ilustrim) Shaban Gogaj i përcjellë nga Njësia për Bartjen e të Burgosurve - Foto: KALLXO.com
Gjyqi ndaj Shaban Gogajt - Prindërit e Agonis Tetajt kërkojnë drejtësi - VIDEO
I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj ka dalë para Gjykatës së Apelit për t’i dëgjuar ankesat ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Pejës, me të cilin Gogaj ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj dënim me burgim.
Ankesë kundër vendimit aktgjykimit të 13.03.2024 kishte paraqitur Prokuroria Themelore në Pejë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Berat Tmava dhe Besnik Berisha i cili mbron Shaban Gogajn.
Gogaj më 13.03.2024 për herë të dytë ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Pejës për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje.
Vendimi i Gjykatës së Pejës është atakuar nga Prokuroria e Pejës mbi bazën e shkeljeve esenciale të dispozitave të kodit të procedurës penale, shkeljeve të ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksionet penal.
Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Berat Tmava ka paraqitur ankesë ndaj akgjykimit të Themelores për shkak të vendimit mbi dënimin duke ka kërkuar nga Apeli që Shaban Gogaj të shpallet fajtor për vrasje të rëndë e jo për vrasje nga pakujdesia.
“Familja besoj që e kanë zbehur besimin në drejtësi, duke pasur parasysh këtë çështje pasi që ka pas ndërhyrje të shumtë nga persona që nuk ja dojnë të mirën drejtësie kanë kaluar më tepër se 6 vite prej kur është vrarë Agonis Tetaj edhe ende nuk po mujm me gjetë lehtësisht”-tha Tmava.
Prindërit e të ndjerit, Agonis Tetajt – Isuf Tetaj dhe Nurije Tetaj kanë potencuar faktin se janë bërë më shumë se 6 vite prej kur ka ndodhur ngjarja dhe kërkojnë që të vendoset drejtësia.
Ndërsa avokati i Shaban Gogajt, Besnik Berisha ka kërkuar që t’i jepet fund rrugëtimit të kësaj çështje, duke propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i Themelores dhe Gogajt për vrasje nga pakujdesia t’i ulet dënimi.
“Apeli jonë është që për rrethana lehtësuese që i kemi artikuluar në ankesë, ankesa jonë të aprovohet, ankesa e palës së dëmtuar të konsiderohet e pa lejuar, ankesa e prokurorisë njëkohësisht dhe ju përfundimisht të vendosni drejtë dhe ligjshëm me rrethanat që i kemi ofru”- tha Berisha.
Shaban Gogaj më 14.10.2022 nga Gjykata e Pejës ishte dënuar për herë të parë me 7 vite e 6 muaj dënim me burgim për armëmbajtje dhe për vrasje nga pakujdesia.
Gjykata e Pejës në shpalljen e vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt, më 14.10.2022 kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Gogaj me 5 vjet burgim ishte dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
Gjykata të njëjtit i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim.
Lidhur me këtë vendim të Themelores nuk ishin pajtuar Gjykata e Apelit duke e kthyer rastin në pikën zero.
Sipas Apelit, në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Në seanca e datës 12.03.2024, bashkëshortja e të ndjerit Agonis Tetaj, Albesa Cacaj u deklaura lidhur me kërkesën pasurore juridike që kishte bërë mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmetaj në emër të saj.
Albesa Cacaj në këtë seancë tha se nuk është kërkesë e saj apo e familjarëve të Agonis Tetajt, që në emër të dëmshpërblimit të kërkohen 628 mijë euro.
“Lutem që kërkesën e parashruar nga zotëri Luan në seancën e kalume të mos merret si kërkesë e familjes së Agonisit”- kishte thënë bashkëshortja e Agonis Tetajt.
Sipas saj do të vlerësohen rrethanat dhe do të vendoset nësë rasti do të procedohet në procedurë civile për kërkim të dëmshpërblimit.
Kujtojmë se gjykimi ishte paraparë të përfundonte me seancën e datës 07.03.2024 por çështja u kthye në fazën e administrimit të provave pasi trupi gjykues revokoi pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje, për të akuzuarin Isuf Cacaj.
Cacaj në seancën e 12.03.2024 dha mbrojtjen e tij lidhur me veprën penale të armëmbajtjes.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.
Raportimet e KALLXO lidhur me rastin i gjeni në LINK.