Foto: KALLXO.com
Gjyqi ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, aprovohet kërkesa e mbrojtjes për dëgjimin e pesë dëshmitarëve
Ish-drejtori i Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, i cili akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, është ulur sërish sot, më 07.10.2024, në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit për rigjykim.
Në seancën e datës 31.07.2024, i pandehuri Kryeziu lidhur me veprën penale që i vihet në barrë kishte thënë se ndihet “plotësisht i pafajshëm”.
Në seancën e sotme u vazhdua procedura e provave.
Me këtë rast, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Kujtim Kërveshi propozoi që të lexohen disa nga shkresat, ndër të tjera nga dosja e Komunës së Prizrenit dhe atë: vendimi nga ish-kryetari i Komunës, Ramadan Muja, urdhri-obligim për pagesë me numrin e kuponit të shpenzimeve për TV Opinion.
Prokurori Mehdi Sefa deklaroi se kundërshton administrimin e një prove, në rastin konkret – vendimin e kryetarit të Komunës, i cili mban datën 14.07.2015.
“Ndërsa, kontrata me TV Opinion e ka nënshkruar këtu Nijazi dhe daton në janar 2015. Po ashtu, nëse shikojmë hollësisht, duket se ka një kundërshtim me provat që Prokuroria i ka siguruar përmes Policisë së Krimeve Ekonomike” – tha prokurori Sefa.
“Në këtë drejtim, prapë po them se kërkohet një ndërprerje e seancës, në afat prej 10 ditësh, për të verifikuar vërtetësinë, gjegjësisht origjinalitetin e urdhrit-obligim për pagesë, i cili daton prej 16.04.2015, dhe urdhrit-obligim për pagesë, i cili daton nga 12.10.2015, për të cilin mungon origjinali dhe do të konstatohet se 1,200 € janë përcjellë në konton e TV Opinion, në çfarë kohe” – tha prokurori Sefa.
Tutje, avokati Kërveshi tha se prej vitit 2019, kur është ushtruar kjo aktakuzë, tani pas pesë vitesh, prokurori i shtetit kërkon kohë nga ju për të zhvilluar hetim. “Kjo fillimisht është e ndaluar me Kodin e Procedurës Penale, ndërsa Prokurori i Shtetit ka dorëzuar tri ekspertiza të ndryshme dhe deri tani nuk ka arritur të kuptojë se për çështjen në fjalë ka kërkuar akt ekspertime financiare që nuk kanë të bëjnë fare me çështjen e zotimit të subvencioneve dhe mallrave të shërbimit të Komunës së Prizrenit” – theksoi avokati.
Pas kësaj, u deklarua edhe i akuzuari Nijazi Kryeziu.
“Sa i përket fjalës së Prokurorit të Shtetit, i cili ka përmendur urdhrin-obligim për pagesë të datave 16.04.2015 dhe 14.10.2015, dëshiroj të shpjegoj se këto janë dy dokumente të Departamentit të Thesarit, por dokumenti i datës 16.04.2015 është kërkesa për të dërguar në Departamentin e Thesarit për ekzekutim, i cili dokument ka datën 14.10.2015” – theksoi i akuzuari.
Në anën tjetër, prokurori Sefa propozoi që edhe një herë të ftohet eksperti Agim Sheqiri që të deklarohet lidhur me rrethanat e krijuara me këtë vendim të kryetarit të Komunës.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Kujtim Kerveshi, deklaroi se kundërshton propozimin e prokurorit.
“Për faktin se ne nuk mund të dëgjojmë një ekspert që na jep një mendim të cilin nuk e ka të shkruar, dhe Prokuroria nuk ka tagër ligjor për të nxjerrë prova. Nëse Gjykata aprovon këtë propozim, mbrojtja me respekt e ruan të drejtën për të bërë propozimin për dëgjimin e dëshmitarëve dhe zyrtarëve, siç janë: Bashkim Lubovci, Ilir Baldedaj, Shpresa Vula, Shukran Zogaj, si dhe zyrtarja Afërdita Morina’’.
Sipas tij, është më me rëndësi që Gjykata të dëgjojë këta dëshmitarë në lidhje me pagesat e bëra.
E propozimi i tillë për dëgjimin e këtyre dëshmitarëve nga avokati Kërveshi u kundërshtua nga prokurori Sefa.
Pas kësaj, trupi gjykues më ne krye me kryetaren e trupit gjykues Raima Elezi, vendosi që të lexohen shkresat e propozuar nga mbrojtja.
Ndërsa, lidhur me propozimin e prokurorit për dëgjimin e ekspertit financiar Agim Sheqiri u vendos që propozimi i tillë të refuzohet.
Nga ana tjetër, u aprovua propozimi i mbrojtësit për dëgjimin e dëshmitarëve të cekur si më lart.
Aktakuza e datës 02.09.2019 të akuzuarin Nijazi Kryeziu e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Nijazi Kryeziu akuzohet për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.
Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate vlerësohet të jetë në total 1,200 euro. Dëmi i shkaktuar u precizua në seancën e datës 05.12.2019.