Gjyljeta Mushkolaj: Kushtetuesja është marrë me diçka që nuk i takon
Ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se vendimi i fundit i Kushtetueses për ligjshmërinë e votës së Etem Arifit është më i komplikuar sesa duket.
Mushkolaj e ftuar në emisionin “KALLXO Pernime” ka thënë po ashtu se Gjykata Kushtetuese është marrë me diçka që nuk është dashur të merret.
Mushkolaj këtu i është referuar vendimit të Kushtetueses në pjesën ku Gjykata ka përcaktuar të drejtën e kandidimit për deputet në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme.
“Problemi që unë e kam me këtë aktgjykim është se të drejtën pasive të votës, të cilën Gjykata Kushtetuese nuk është dashur të merret dhe atë qysh në pikën e parë dhe Gjykata Kushtetuese e interpreton këtë me Ligjin për Zgjedhje”, ka thënë Mushkolaj.
Po ashtu Mushkolaj ka thënë se vendimi i drejtë i Kushtetueses me këtë aktgjykim është që ka vërtetuar paligjshmërinë e votës së Etem Arifit.
“Ajo që është e drejta në vendimin e Kushtetueses është që ka konstatuar paligjshmërinë e votës së një deputeti të caktuar. Është dashur Kuvendi që ta qartësojë më herët këtë gjë dhe të ketë lidhje më të mirë në mes të Kuvendit dhe Gjyqësor i Kosovës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është dashur që të dërgojë të gjithë emrat e deputetëve të dënuar sepse janë të zgjedhurit e popullit”, ka deklaruar Mushkolaj.
Gjykata Kushtetuese e ka publikuar vendimin e plotë duke shpallur përfundimisht Qeverinë Hoti si Antikushtetuese.
Brenda 40 ditëve të ardhshme pritet të mbahen zgjedhjet.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani pritet që ditëve në vazhdim të caktojë datën e zgjedhjeve.
Të ftuar në emisionin e sotëm janë, Faton Fetahu nga PDK, Tomë Gashi, Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com dhe Labinot Leposhitca nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.