Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen që dyshohet se ndodhi pas një konflikti në komunikacion, dëshmitarët rrëfejnë për vrasjen e shokut të tyre

Në gjykimin e Orges Zhugollit, i cili po akuzohet për vrasjen e Amir Zhegrovës, sipas Prokurorisë pas një “konflikti” në komunikacion, të martën, më 13.08.2024, kanë dhënë dëshminë e tyre dy dëshmitarë.

Valdrin Rrustemi gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se në natën kritike kanë qenë 5 persona dhe kishin vendosur që të shkojnë për të pirë kafe në Prishtinë dhe papritmas kishin hasur një veturë të tipit “Golf 2”, e cila nuk i kishte lejuar të tejkalonin.

Sipas dëshmisë së tij, kur e kishin tejkaluar nga ana e majtë, kishin vazhduar rrugën mirëpo vozitësi i  veturës “Golf 2” ua kishte bërë me drita shumë herë që të ndaleshin.
“Ne u ndalëm dhe ai u ndal. Në atë moment u dalë me thikë në dorë e ka goditur Amirin, po ashtu ka shkuar drejtim neve. Ne nuk u afruam në atë moment, menduam vetëm ta shpëtojmë Amirin” – tha dëshmitari.

Tutje ai tregoi se kishin hipur në veturë dhe kishin shkuar në Emergjencë.

I pyetur nga prokurori Arben Hoti nëse i kujtohet se a e ka parë të pandehurin me thikë në dorë kur kanë dalë nga vetura, dëshmitari tha se me sa i kujtohet (i pandehuri) me thikë ka dalë nga vetura.

Mbrojtësi i të pandehurit Orges Zhugolli, avokati Naim Rudari, nuk kishte ndonjë pyetje për këtë dëshmitar, sepse, sipas tij, po i pamundësohet nga trupi gjykues të bëjë pyetje dhe që dëshmitarin ta  ballafaqojë me provat që i kishin në shkresat e lëndës. Kjo pasi që trupi gjykues në seancën e kaluar kishte vendosur që dëshmitari  të mos ballafaqohej me prova të cilat nuk janë të administruara, respektivisht video-incizimet.

“Kërkoj të rezervoj të drejtën që sipas nevojës dëshmitarët e Prokurorisë që janë dëgjuar në shqyrtimin  gjyqësor dhe që ditën kritike kanë qenë së bashku me të ndjerin, të ridëgjohen edhe një herë dhe të njëjtit t’i ballafaqojmë me prova të tjera, konkretisht me video-incizimet që janë nxjerrë nga furra e bukës “Melis”, ku shihen pamjet dhe dëgjohet mjaft mirë zëri i secilit nga kjo përleshje” – tha avokati Naim Rudari.
Paraprakisht është dëgjuar dëshmitari Redon Rrustemi, i cili kishte mbetur pa u përballur vetëm me pyetjet e trupit gjykues.

Ai gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se në ditën kritike të akuzuarin Orges Zhugolli e kishte parë duke goditur me thikë dhe kur kishte dalë nga vetura në dorë e kishte pasur thikën dhe i kishte sharë dhe kërcënuar vazhdimisht.

Dëshmitari Redon Rrustemi të ndjerin e kishte pasur shok të ngushtë.
“Nuk kemi dëgjuar se ka pasur diçka problem mirëpo vetëm problem komunikacioni” – tha dëshmitari Redon Rrustemi gjatë seancës së sotme.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i kryesuar nga Ertan Sejfulla dhe nga gjyqtarët anëtarë Fatime Dërmaku dhe Naser Foniqi.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit tetor.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 12.09.2022, rreth orës 20:50, afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik, komuna e Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli ka privuar nga jeta Amir Zhegrovën për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.

Sipas aktakuzës në atë mënyrë që derisa tani i ndjeri ishte duke drejtuar veturën e tipit “Golf 6”, në të cilën gjendeshin edhe Endrit Rrustemi, Redon Rrustemi, Valon Uka dhe Valdrin Rrustemi, të cilët ishin nisur për në Prishtinë, në fshatin Gllamnik, takojnë veturën “Golf 2”, të cilën e drejtonte tani i pandehuri Orges Zhugolli, dhe në momentin kur tani i ndjeri tenton që të tejkalojë, i pandehuri e pengon duke vozitur në mes të dy shiritave dhe me shpejtësi të ngadaltë.

Tutje, sipas aktakuzës, pas disa përpjekjeve tani i ndjeri arrin që të tejkalojë dhe posa që i pandehuri vëren që ajo veturë e tejkalon, ai fillon nga tani i ndjeri të kërkojë që të ndalet duke blinduar me drita, dhe pas pak i ndjeri Amir e ndal veturën afër marketit “Melis” dhe menjëherë prapa tij ndalet edhe i pandehuri Orges Zhugolli, i cili del nga vetura me thikë në dorë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Orges Zhugolli i afrohet Endrit Rrustemit dhe e shtyn me qëllim që ta largojë mirëpo i pandehuri fillon të shajë, i afrohet tani të ndjerit Amir dhe menjëherë e godet një herë me thikë në gjoks në anën e majtë të kraharorit dhe menjëherë largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa dëshmitarët Endrit Rrustemi, Redon Rrustemi, Valon Uka dhe Valdrin Rrustemi shokun e tyre e dërgojnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ndërsa viktima rreth orës 03:00 të datës 13.09.2022 në QKUK ndërron jetë.

Më këtë Orges Zhugolli akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje.

Sipas pikës dy të aktakuzës, i pandehuri Orges Zhugolli akuzohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.