Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen në Prizren, aprovohet propozimi për ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit

Gjykata e Prizrenit të mërkurën ka aprovuar propozimin për ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit, i cili po gjykohet për vrasje të rëndë.

Dy vëllezërit Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria po akuzohen se pas mosmarrëveshjeve, me dashje dhe të shtyrë nga motivi i hakmarrjes kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Mendim Kurtishaj.

Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit Orhan Ademaj, edhe në seancën e sotme ka përsëritur kërkesën që të bëhet ekzaminimi psikiatrik i të mbrojturit të tij.

“Qëndroj në tërësi pranë propozimit për ekzaminimin psikiatrik të paraqitur më datë 9 nëntor 2022. Po ashtu, theksoj se pas kualifikimit të veprës penale dhe gjendjes psikike të të mbrojturit tim, konsiderojmë se është e arsyeshme dhe e domosdoshme që të vërtetohet gjendja në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale”-deklaroi avokati Mazreku.

Ky propozim nuk mori mbështetjen e Prokurorisë, pasi që Genc Nixha e kundërshtoi këtë.

Sipas prokurorit Nixha, nga faza e hetimeve, gjatë marrjes në pyetje dhe në procedurën hetimore asnjëherë nuk është potencuar se i akuzuari vuan nga ndonjë sëmundje psikike-nervore.

Këtë propozim e kundërshtoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Sylë Hoxha.

Pas kësaj, Gjykata mori vendim që kërkesa e mbrojtësit Blerim Mazreku të aprovohet.

Paraprakisht në këtë seancë është bërë ballafaqimi i të dëmtuarit, Pajtim Kurtishaj me dëshmitarin Aziz Ademaj.

Dëshmitari Aziz Ademaj ka pohuar deklaratën e dhënë më herët se në shtëpinë e tyre ai i kishte ftuar Pajtim Kurtishajn dhe një person tjetër që të hynë brenda dhe të flasin për rastin.

Këtë rrethanë e ka kundërshtuar i dëmtuari Pajtim Kurtishaj. Sipas tij, Aziz Ademaj i ka thënë se nuk mund të përgjigjem pa dalë Alberti nga burgu.

“I kam thënë jam Pajtimi, me vonesë e kam kuptuar që vëllai im ka pasur mosmarrëveshje me djalin tuaj. Kam ardhur që t’iu ofroj sende nëse është lënduar dhe jam në gjendje të përgjigjen për mjekim. Nuk është e vërtetë se Azizi na ka thirr brenda për kafe. Ne kemi biseduar jashtë dhe përgjigja e tij ka qenë: ‘Albertin e kam në burg, dhe nuk mund të përgjigjem pa u konsultuar me ta dhe familjen”-ka sqaruar i dëmtuari për trupin gjykues.

Në këtë seancë gjykata po ashtu ka aprovuar propozimin e prokurorit për dëgjimin e dëshmitari Reshat Mleqani.

Trupi gjykues në vijim ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak.

Ndërkaq, në lidhje me propozimin e avokatit Hajrip Krasniqi për transferimin e të akuzuarit Albert Ademaj në qendrën e paraburgimit në Prizren, Gjykata do të vendosë jashtë shqyrtimit.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për më 21 dhe 22 shkurt 2023.

Sipas Prokurorisë, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta M. K.

Në akuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin të ndjerin M. K., i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Transiti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet M. K., dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.