
Gjykimi për vrasjen më 2023 në Podujevë, dëshmitari thotë se dëgjoi fjalët e viktimës para se të vritej
Në gjykimin ndaj të akuzuarit A. S., se në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur kanë privuar nga jeta V. B., në marketin “Interex”, në Podujevë më 2023, në seancën më 17.01.2025, kanë dhënë dëshminë katër dëshmitarë.
Dëshmitari Osman Shabani, i cili deklaroi se punon për një firmë tjetër, ndërsa në ditën kritike më 11.09.2023 në marketin “Interex” kishte qenë diku rreth orës 12:00 dhe se kishte qenë te vendi i frigoriferave.
“Unë kam qenë në punë te frizat, dhe kur ka ndodhë rasti kam qenë me shpinë ka frizat në telefon me dorë dhe i kam ni krismat, të shtënat dhe e kam kthy kryt, në anën e majtë e kam parë rastin”- tha ai.
Tutje i njejti tha se e kishte parë edhe momentin e vrasjes të tani të ndjerit.
“E kam parë personin tani të vrarin duke thënë ‘Pashë Zotin mo!’, këtë ia ka thënë vrasësit. Ai ka vazhdu veç me gjujtë me armë”- tha tutje dëshmitari Shabani.
Shabani më tej deklaroi se i kishte dëgjuar se janë shkrepur 7-8 plumba, dhe pastaj pas shkrepjes së këtyre plumbave ai kishte ikur.
Dëshmitari Shabani për të ndjerin deklaroi se e kishte njohur me nofkën “Dhija”, për emrin e tij deklaroi se nuk e kishte ditur, ndërsa për të akuzuarin A.S., deklaroi se nuk e kishte njohur më parë.
Në këtë seancë, dëshminë e ka vazhduar edhe bashkëshortja e të ndjerit V.B., dëshmitarja Lirie Sylejmani.
Dëshmitarja Sylejmani gjatë deklarimit të saj tha se “nuk ka asnjë fuqi që mund të ndryshojë faktin se A., (i akuzuar) e ka orintuar djalin e vet drejt neve.”
Sylejmani tha se bashkëshorti i saj e ka njohur të akuzuarin A.S., ndërsa djalin e tij jo.
Ndërsa e pyetur për rasportet e të ndjerit me të akuzuarin A.S., dëshmitarja tha se i ndjeri me të akuzuarin nuk ka pasur raporte me të, përveç një incidentit në vitit 2022, por që nuk ka dijeni pse ka ndodhur ai incident, përveç se ka njohuri se bashkëshorti i saj ka qenë prezent në atë incident.
Në këtë seancë janë dëgjuar edhe Nafije Pllana dhe Ahmet Pllana.
Dëshmitarja Nafije Pllana deklaroi se ditën kritike ka qenë duke punuar në marketin “Interex” në Podujevë në sektorin e pemëve, ndërsa ka qenë e kthyer me shpinë në pjesën kur ka ndodhur rasti.
Pllana tha se rastin nuk e kishte parë, vetëm se kishte dëgjuar krismën e armës dhe kishte ulur kokën dhe pastaj e kishte parë një grua të plagosur në tokë.
Tutje dëshmitarja Pllana deklaroi se në momentin kur ka ndodhur rasti të gjithë kanë bërtitur pasi nuk e kanë ditur se çfarë ka ndodhur.
Dëshmitari Ahmet Pllana deklaroi se diku rreth apo pas orës 12:00 kishte qenë duke punuar me bashkëshorten e tij në marketin “Interex” në Podujevë dhe diku gjatë asaj kohe ishin dëgjuar disa të shtëna.
Pllana deklaroi se nuk i kujtohet nëse ka parë diçka përveç që kishte dëgjuar të shtënat.
Tutje, dëshmitari Pllana tha se pas këtyre të shtënave ata ishin nisur të shkojnë në pjesën e hyrjes të marketit.
“Ne pasi kemi shku te dera hymjes kanë pushu të shtënat. Me kolegët e tjerë dhe me bashkëshorten time Nafijen, jemi kthyer edhe unë kur jam kthy kam pa një grua të shtrirë duke u permeqatë (në gjende të rëndë), kur e kam pa që nuk po mundet me mbajtë kokën e kam kapë një thes me fara, i kam thënë mos e qit kokën në pllaka, dhe i kam thënë mos lëviz se tash vijnë organet e rendit”- deklaroi dëshmitari Pllana lidhur me rastin.
Pasi ishte përfundimi i orarit të punës seanca e sotme 17.01.2025 u ndërpre. Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për në muajin shkurt 2025.
Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Fatime Dërmaku – kryetare dhe antarët Gent Beka dhe Sulltane Hoti.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari A. S. – me qëllim të hakmarrjes e për shkak të një konflikti, që kishte pasur më herët gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin V. B. dhe Sh. R. – i pandehur, ka porositur djalin e tij, të miturin L. S., që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V. B.; duke kontribuar thellësisht në privimin nga jeta e tani të ndjerit V. B., e duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë.
Sipas Prokurorisë, më 11.9.2023, rreth orës 11:30, i pandehuri A. S. me djalin e tij të mitur L. S. shkojnë në kafiterinë e marketit ‘Interex’ – që gjendet në katin e parë në Podujevë – nga ku vëzhgojnë rrugën ‘Zahir Pajaziti’. Rreth orës 12:19, vërejnë tani të ndjerin V. B., se hyn në marketin ‘Interex’ – së bashku me bashkëshorten e tij, tani të dëmtuarën L. S., dhe fëmijën e tyre katërvjeçar.
Në Aktakuzë, thuhet: ‘A. S. me të miturin L. S. dalin nga restauranti – duke zbritur shkallëve. A. S. e orienton të miturin L. S. në drejtim të të ndjerit V. B., i cili vihet në ndjekje të tij. Ndërkaq, A. S. vazhdon për të dalë nga objekti. Në momentin kur, tani i ndjeri V. B., së bashku me bashkëshorten e tij të dëmtuarën L. S. dhe fëmijën e tij, arrin te sektori i produkteve të qumështit… I mituri L. S. i afrohet nga mbrapa, nga afërsia fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V. B. (e qëllon në shpinë dhe në qafë). Njëra nga predhat e tejshkon trupin, e tani të ndjerit V. B., dhe e qëllon edhe të dëmtuarën, bashkëshorten e tij, L. S’.
Tutje, në Aktakuzë thuhet, se: ‘L. S. kishte filluar të ikte në momentin kur kishte dëgjuar krismën. I mituri L. S. kishte nxjerrë nga çanta revolen tjetër – me të cilën qëllon edhe 4 (katër) herë, në kokën e tani të ndjerit V. B. Ky i fundit, tanimë, ishte i shtrirë në tokë. Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma e zjarrit, tani i ndjeri V. B. vdes në vendin e ngjarjes; e dëmtuara L. S. dërgohet në QKUK, nga plagët e rënda – që pëson’.
Gjithnjë sipas aktakuzës: ‘menjëherë pas të shtënave, i mituri L. S. me shpejtësi del nga ‘Interexi’ – e, largohet në këmbë në drejtim të panjohur. I pandehuri A. S. afrohet te vetura e tipit “Mercedes E 200”, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex-it’ – e shkon në shtëpinë e vet, që gjendet në fshatin Gllamnik, në Podujevë; në të cilën edhe është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij, janë gjetur e sekuestruar: 1 (një) pistoletë e 1 (një) pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje – me 62 (gjashtëdhjetë e dy) fishekë të pistoletës; si dhe, 20 (njëzet) fishekë të pushkës së gjuetisë e dy antiplumba.
Me këtë i pandehuri A. S. akuzohet, se: ‘në bashkëkryerje me të miturin L. S.’, ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’.