Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dëshmitarët hezitojnë të akuzojnë bandën serbe

Dy dëshmitarët në gjyqin për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, më 2018, në Gjykatën të Prishtinës sot hezituan që të konfirmonin dëshmitë paraprake të cilat ia patën dhënë prokurorisë ku patën emëruar persona që dyshohet të jenë pjesëtarë të mundshëm të grupeve të organizuara kriminale që operojnë në veriun e Kosovës.

Dëshmitarja e parë, Radmilla Rajçiq, në dëshminë e dhënë në prokurori në dhjetor 2018 kishte thënë që “Ivanoviqi u vra nga i njëjti grup kriminal [i drejtuar nga Millan Radojiçiq]” si djali i saj.

Në Gjykatë sot dëshmitarja refuzoi ta përsëriste këtë deklaratë.

“Nuk jam e sigurt, nuk e mohoj por ishte mendimi im”, tha ajo kur u pyet rreth dëshmisë paraprake. Ajo deklaroi që kishte folur në bazë të thashethemeve dhe nuk kishte ndonjë informacion konkret.

Biznesmeni i fuqishëm serb nga Kosova, Milan Radojiçiq është zëvendëskryetari i partisë serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe.

Aktakuza për rastin e vrasjes së Ivanoviqit e konsideron Radojiçiqin si kryetar të grupit të organizuar kriminal që organizoi vrasjen në janar 2018, bashkë me biznesmenin serb të Kosovës, Zvonko Veselinoviq. Ata e kanë mohuar përfshirjen dhe asnjëri nuk është në gjyq.

Të gjithë dëshmitarët deri tani kanë hezituar të konfirmojnë dëshmitë paraprake rreth grupit të organizuar kriminal që dyshohet të jetë drejtuar nga Radojiçiq.

Katër nga të akuzuarit në këtë gjyq – Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara dhe Nedelko Spasojeviq – janë akuzuar të jenë pjesëtarë të grupit të organizuar kriminal që vrau Ivanoviqin.

Dy policët, Dragisha Markoviq and Zharko Jovanoviq, janë gjithashtu në gjyq, të akuzuar për shkatërrim të dëshmive.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Dëshmitarja Rajçiq gjithashtu tha të enjten që “nuk e njoh asnjë polic këtu në sallë,” duke iu referuar të akuzuarve.

Gjithsesi, gjatë dëshmisë së saj ajo zbuloi që kishte tentuar të inicionte kallëzim penal kundër disa policëve që besonte që kishin neglizhuar detyrat e tyre për të zgjidhur vrasjen e djalit të saj. Një nga policët ishte edhe një nga të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviq, Rade Basara.

Dëshmitari i dytë sot ishte Dragan Jabllanoviq, ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit deri në dhjetor 2017, një muaj para vrasjes së Ivanoviqit.

Jabllanoviqi gjithashtu hezitoi të përsëriste dëshminë e dhënë paraprakisht në prokurori më 2019.

Ai kishte përmendur një rast kur ishte penguar të hynte në zyrën e tij nga të paktën pesë persona të paidentifikuar të cilët i kishin thënë “Milan Radojiçiq na ka paguar 1,000 euro secilin që t’mos të lejojmë të hysh në zyrë”.

Të martë gjithsesi Jabllanoviqi mohoi përmendjen e Radojiçiqit duke thënë që “nuk më treguan kush i ka paguar por vetëm që ishin paguar 1,000 euro për të më penguar të hyja në zyrë”.

Jabllanoviqi, nga Partia Serbët e Kosovës (Partija Kosovskih Srba), gjithashtu i tregoi Gjykatës rreth intimidimit politik në veri të Kosovës gjatë periudhës kur ndodhi vrasja e Ivanoviqit.

Ai tha që njëjtë si Ivanoviqi, vetura e të cilit ishte djegur, edhe Jabllanoviqi vetë ishte kërcënuar nga përfaqësues të Listës Serbe  gjatë fushatës të zgjedhjeve lokale të 2017-s.

Ai tha që një mjet shpërthyes ishte hedhur në shtëpinë e tij dhe disa aktivistë të partisë së tij ishin ndjekur dhe rrahur nga disa të Listës Serbe.

“Asnjë nga ne në Leposaviq nuk ndihej i sigurt [pasi u dogj vetura e Ivanoviqit]”, tha ai.

Ivanoviqi dikur konsiderohej një nacionalist por para vrasjes së tij ishte shndërruar në një politikan të moderuar që avokonte për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Ai gjithashtu ishte shumë i zëshëm në kritikat kundër Beogradit.

Në kohën e vdekjes së tij Ivanoviqi ishte duke u rigjykuar për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së 1999-s. Ai ishte deklaruar i pafajshëm.