Foto: KALLXO.com
Gjykimi për vrasje në tentativë, dështon seanca, nuk ekzekutohet nga Policia urdhri i Gjykatës për ta sjellë të akuzuarin në gjykim
Ka dështuar të mbahet seanca sot, më 23.10.2024, në Gjykatën e Prizrenit, në rastin e Eni Bytyqit dhe Virtyt Zogajt, të cilët akuzohen për veprën penale – vrasje në tentativë.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, konstatoi se nuk është prezent i akuzuari Eni Bytyqi.
Sipas gjyqtares, stacioni policor Veri – njësiti për sjellje nuk e ka ekzekutuar urdhrin e Gjykatës që të pandehurin nga arresti shtëpiak ta sjellin në seancë.
Po ashtu, u bë e ditur se nuk ishte prezent edhe eksperti dr. Bujar Obërtinca, të cilin Gjykata e ka ftuar nëpërmjet postës elektronike (e-mail) më 15.10.2024, në të cilin e ka informuar për datën e seancës së sotme.
Mirëpo, gjyqtarja Skenderi deklaroi se pas bisedës telefonike me Obërtincën që e ka zhvilluar sot ai e ka konfirmuar se nuk mund të jetë në seancë, pasi që ka pasur probleme me e-mail dhe nuk ka mundur ta hapë.
Kështu nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.
Ndërsa, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 20.11.2024.
Aktakuza ndaj dy të pandehurve është ngritur më 18.10.2022 nga prokurori Genc Nixha.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Eni Bytyqi më 14.07.2022, rreth orës 00:30, në Prizren, me dashje tenton ta privojë nga jeta viktimën Virtyt Zogaj nga Prizreni, në atë mënyrë që, paraprakisht e merr në telefon dhe i kërkon të takohen sy me sy në mënyrë që t’i sqaronte disa hesape të mëhershme mes tyre.
Sipas Prokurorisë, ai niset në drejtim të viktimës dhe në momentin që zbret nga automjeti, nxjerr një pushkë me bajonetë dhe e drejton në drejtim të viktimës.
Me ç’rast ky i fundit i vërsulet të njëjtit duke tentuar t’ia heqë armën nga dora.
Mirëpo i pandehuri megjithatë arrin të shkrepë disa herë armën, dhe një nga predhat e shkrepura arrin t’ia prekë bluzën viktimës si dhe nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë të bajonetës, viktima Virtyt Zogaj pëson lëndime të rënda trupore.
Këso dore pretendohet se i pandehuri Eni Bytyqi ka kryer veprën penale – vrasja në tentativë.
Dhe ashtu siç përshkruhet më lartë i njëjti në datën, kohën dhe vendin e njëjtë ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Virtyt Zogaj në datën, kohën dhe vendin e njëjtë të përshkruar si më lart, me dashje tenton ta privojë nga jeta viktimën Eni Bytyqi nga Prizreni, në atë mënyrë që pasi takohet me të njëjtin në vendin kritik, arrin t`ia heqë nga duart armën e zjarrit dhe fillon të përleshen fizikisht me grushte dhe shqelma.
Sipas dosjes në një moment e nxjerrë nga brezi armën e ftoftë (me besueshmëri thikë), me të cilën e godet të njëjtin disa herë në pjesë të ndryshme të trupit (fytyrë, prapa kokës dhe në shpinë) dhe largohet nga vendi i ngjarjes, dhe më pas dorëzohet në Polici.
Me ç’rast viktima Eni Bytyqi pëson lëndime të rënda trupore.
Këso dore i pandehuri Virtyt Zogaj pretendohet se ka kryer veprën penale – vrasja në tentativë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.