Foto: KALLXO.com

Gjykimi për “Vjedhjen e organizuar tatimore”, administrohet si provë hulumtimi i emisionit “Jeta në Kosovë”

Në gjykimin e Lorik Jasharit, Kadri Mustafës dhe Naman Pacollit, të akuzuar për krim të organizuar, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, në seancën e sotme, 22.01.2025, është administruar si provë hulumtimi “Vjedhja e Organizuar Tatimore” i emisionit “Jeta në Kosovë”.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur pas publikimit të këtij hulumtimi.

Të pandehurit nga Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzohen se kanë bashkëpunuar mes vete për të hapur kompani fiktive e duke regjistruar fatura fiktive gjoja se ka pasur shitblerje të mallrave mes kompanive.

Kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj bëri të ditur se është propozuar që të dëgjohet si provë emisioni “Jeta në Kosovë”.

Këtë propozim e kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Lorik Jashari në seancën e kaluar.

“Trupi gjykues meqenëse ka mundësinë përmes pajisjeve që posedon në sallë të bëjë shikimin e emisionit nga kanali YouTube do të bëjë lëshimin e emisionit nga minuta 08:00 deri 13:26” – tha gjyqtari Kurtaj.

Pas paraqitjes së kësaj prove nuk pati ndonjë propozim tjetër për dëgjimin e ndonjë dëshmitari nga ana e palëve andaj Gjykata kaloi në administrimin e provave materiale.

Prokurorja Habibe Salihu propozoi që të konsiderohen të lexuara provat e propozuara në aktakuzë.

Me këtë propozim të prokurores u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Po ashtu në seancën e sotme të akuzuarit zgjodhën që të mbrohen në heshtje.

“Mbrojtjen do ta jap në heshtje, kundërshtoj aktakuzën sepse padrejtësisht akuzohem si themelues i pretenduar i grupit të caktuar” – tha Lorik Jashari.

Fjalët përfundimtare lidhur me këtë çështje penale pritet të jepen më 03.03.2025.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj – kryetar dhe Vesel Ismaili dhe Lutfi Shala – anëtarë.

Prokurore e kësaj çështjeje është Habibe Salihu.

KALLXO.com në vitin 2016 kishte transmetuar trilogjinë “Vjedhja e Organizuar Tatimore”.

https://www.youtube.com/watch?v=2-CqHnwKEh8&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fkallxo.com%2F&source_ve_path=MjM4NTE

https://www.youtube.com/watch?v=YrFDsYON1rE&t=1s

https://www.youtube.com/watch?v=SN3Y5lDziB8&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fkallxo.com%2F&source_ve_path=MjM4NTE

Në pjesën e dytë të kësaj trilogjie, Jashari kishte mohuar të ketë lidhje me të gjitha veprimet për të cilën e ngarkon aktakuza.

Sipas aktakuzës së 25.02.2014 të Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh.M. dhe M.G. (këta dy të fundit kanë ndërruar jetë), kanë kryer veprën penale – krim i organizuar.

Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 2007-2011 Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal u ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh.M. ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M.G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”.

Sipas Prokurorisë, regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar fatura fiktive gjoja se është bërë shitja e blerja e mallrave konkrete, duke e dëmtuar sipas Prokurorisë buxhetin e shtetit për 198,707.17 euro.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.

Jashari sipas Prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, u ka siguruar shitës e blerës fiktivë.

Tutje kishte përgatitur 42 fatura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro.

Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Tutje aktakuza thotë se Jashari si pronar i kompanisë “Lori” në vitin 2008 e ndërron emrin e kompanisë në atë të “Lorlan” SH.P.K.

Kështu i njëjti gjithnjë sipas Prokurorisë pranon para nga të hyrat e bizneseve fiktive “Flaka Com” dhe kompania “Cini Comerce” dhe deponimet ‘cash’ në vlerë prej mbi 600 mijë euro, të hyrat nga shitblerja e banesave në vlerë prej mbi 300 mijë.

Prokuroria thotë se Lorik Jashari ka bërë shpëlarje të parave të fituara si më lart duke e ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh në vlerë prej afërsisht gjysmë milion euro.

Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa  i cili si pronar i kompanisë “Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.

I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.