Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vjedhje në “Viva Fresh Store”, dëshmitari: Janë dëgjuar të shtëna me armë

H.B., dëshmitar i rastit të vjedhjes së kryer në një market në fshatin Korishë të Prizrenit, ka dhënë versionin e tij rreth ngjarjes.

Prokuroria po pretendon se Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj kanë hyrë me forcë në supermarketin “Viva Fresh Store” dhe nga aty kanë vjedhur një sasi të cigareve.

I përfshirë në këtë çështje penale është edhe i akuzuari Xhafer Ahmetaj, i cili ngarkohet për përdorim të armës.

Dëshmitari përpara trupit gjykues deklaroi se natën kritike i akuzuari Ahmet Ahmetaj ka pasur armë me vete dhe janë dëgjuar të shtëna.

Ndërsa, në pyetjen e avokatit Nazmi Mustafa se a e ka parë nëse Ahmet Ahmetaj ka gjuajtur, dëshmitari u përgjigj se nuk kishte parë asgjë.

“Unë nuk e kam pa se kush ka gjuajtur, por vetëm kam dëgjuar të shtënat e armës”, tha ai.

Tutje në gjykim, dëshmitari H.B. tha se ai vetë së bashku me katër persona të tjerë kanë shkuar me makinën e të akuzuarit Ahmet Ahmetaj në “Viva Fresh Store” nga ku kanë vjedhur cigare dhe të holla nga arka.

Mirëpo, H.B. tha se nuk mund të deklarojë plotësisht për katër pjesëmarrësit në vjedhje për shkak se dy prej tyre kanë qenë me maska.

“Jam i sigurt se kam qenë me të akuzuarin Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj, mirëpo për të akuzuarin Veton Krasniqi dhe Leotrim Sokoli nuk jam i sigurt pasi që të njëjtit kanë qenë me maska”, shtoi dëshmitari.

Më pas dëshmitari rrëfeu se përveç armës së zjarrit të cilën e ka poseduar Ahmet Ahmetaj kanë qenë të pajisur edhe me kaçavidë, çantë të shkollës dhe paketa brenda të cilave i kanë vendosur cigaret.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta u caktua për në muajin janar 2022.

Sipas Prokurorisë, Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj akuzohen se më 2 shtator 2020, rreth orës 03:35, në fshatin Korishë të komunës së Prizrenit, kishin hyrë në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në bashkëveprim edhe me të miturin H.B., me qëllim për të vjedhur.

Në aktakuzë thuhet se Ahmet Ahmetaj duke pasur armën me vete si dhe duke përdorur forcën përmes një shufre metalike, në shoqërim të të miturit i cili ka pasur në dorë një kaçavidë, hapin derën e qendrës tregtare dhe të gjithë futen brenda, ku arrijnë të përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të cigareve.

Gjatë daljes nga qendra tregtare thuhet se ata vërehen nga dëshmitari Xhafer Ahmetaj, i cili ishte edhe pronar i objektit, ku Ahmet Ahmetaj me të kuptuar që janë vërejtur nga pronari i objektit ka shkrepur me armë në ajër dhe më pas hipin në veturën “ Renault Megane” dhe largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar kështu “Viva Fresh Store”-s dëm material.

Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vjedhja grabitqare.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Xhafer Ahmetaj, gjatë kohës kur ka zënë të lartpërmendurit në flagrancë, ka përdorur armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin, ndonëse për të njëjtën posedon leje nga organi kompetent.

Aty thuhet se derisa Ahmet Ahmetaj ka shtënë me armë zjarri në ajër për ta frikësuar Xhafer Ahmetajn, ky i fundit gjithashtu nga terrasa e shtëpisë ku banon ka shtënë 4 herë me armë në ajër, nga frika për të dhe familjen e tij, me qëllim që t’i largojë të pandehurit.

Në fund, në aktin akuzues thuhet se posa Policia arrin në vendin e ngjarjes, Xhafer Ahmetajt ia sekuestron armën në fjalë.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me ketë rast mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.