Gjykimi për trafikim që zgjati gati 18 vite

Kanë kaluar thuajse 18 vite që kur Prokuroria e Qarkut  kishte ngritur aktakuzë ndaj Haki Ahmetit dhe Engjull Shabanajt.

Për këtë rast edhe  sot e kësaj dite nuk ka një verdikt përfundimtar.

Vështirësi tash po paraqiten edhe në sigurimin e të dëmtuarve të rastit si dhe gjykata nuk ka as adresën e saktë të njërit të akuzuar i cili as sot nuk ishte prezent në gjykatë.

Pikërisht mungesa e të akuzuarit Haki Ahmeti bëri që seanca e sotme të dështonte. Sipas Gjykatëses së rastit Violeta Namani në bazë të fletëkthesës konstatohet se adresa është jo e plotë.

Haki Ahmeti dhe Engjull Shabani nga prokuroria akuzohen për veprën penale trafikim me njerëz.

Sipas aktakuzës së prokurorisë në janar të vitit 2001, Haki Ahmeti në cilësinë e pronarit kurse i pandehuri Engjëll Shabanaj në cilësinë e menaxherit të lokalit “Masazh Bar” kanë dalur në kufirin Kosovë-Serbi ku edhe kanë marrë nga personi NN të dëmtuarat S.A., M.B., L.M. me qëllim që të i detyrojnë të merren me prostitucion.

Madje, për 40 klientët e parë ato nuk janë paguar fare, ngase për këtë i kanë paguar personave NN nga edhe i kanë marrë të dëmtuarat.

Më vonë, në maj të vitit 2001 të akuzuarit nga personi NN i kanë marrë edhe gjashtë të dëmtuara të tjera më qëllim që t’i detyrojnë të merren me prostitucion e të cilat do të paguhen, mirëpo vetëm pas 15 klientëve të parë, për të cilat paratë u kanë dhënë personave NN të cilët i kanë sjellë këto të dëmtuara në kufi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ndërsa pas kësaj të dëmtuarve u janë premtuar nga 50 marka gjermane për një orë marrëdhënie seksuale, kurse pjesën tjetër prej 150 markave gjermane e kanë marrë të pandehurit të cilët në fillim i kanë lidhë edhe kontratat e punës me tani të dëmtuarat të cilat kinse do të punonin si masazhere dhe vallëzuese dhe do të paguheshin nga 500 marka gjermane.

Këtë shumë të dëmtuarat nuk e kanë pranuar asnjëherë edhe pse veprimtarinë e prostitucionit e kanë ushtruar deri në qershor të vitit 2001.