Foto: KALLXO.com

Gjykimi për tentim vrasjen në Prizren, dëshmitarët thonë se i kishin parë të akuzuarit me thikë në dorë

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca e e radhës e gjykimit të Gëzim Kastratit dhe Argëtim Kasollit, të cilët po akuzohen për veprën penale – tentim vrasje.

Në seancën e sotme, 05.11.2024, kanë dëshmuar dy dëshmitarë.

Fillimisht u dëgjua dëshmitari Leart Thaqi.

Ai deklaroi se i akuzuari Gëzim Kastrati në natën kritike kishte tentuar me thikë ta therte edhe atë.

Gjatë deklarimit të tij, Thaqi tha se në vendin e ngjarjes kishte qenë edhe i akuzuari Argëtim Kasolli.

Dëshmitari tha që i kishte parë që të dy të akuzuarit me thikë në dorë.

“Kam parë që të dytë kanë pasur thika në dorë” – deklaroi dëshmitari Leart Thaqi.

Tutje, në seancë dëshmoi edhe dëshmitari Albion Kastrati.

Dëshmitari Albion Kastrati tha se kishte qenë në vendin e ngjarjes, brenda në veturë. Ai tha se kur kishte shkuar te vendi i ngjarjes kishte parë një turmë të njerëzve në një distancë të largët.

Ai tha se me thika i kishte parë Gëzimin dhe Argëtimin (të akuzuarit).

Dëshmitari deklaroi se në momentin kur ai kishte shkuar, rasti kishte qenë i përfunduar.

Ndërsa, seanca e radhës u caktua për më 24 dhjetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Mehdi Sefa më 21.03.2024, të akuzuarit Gëzim Kastrati dhe Argëtim Kasolli më 12.02.2024, rreth orës 23:20, në Prizren, në afërsi të kompanisë së dhënies së veturave me qira “Galaktika” pas një mosmarrëveshjeje paraprake rreth marrjes me qira të automjetit dhe pagesës së saj të akuzuarit me dashje tentojnë të privojnë nga jeta të dëmtuarit E.B. dhe E.K.

Sipas aktakuzës, të pandehurit shkojnë në kompaninë “Galaktika” për t’u sqaruar lidhur me vërejtjet që kishin të dëmtuarit rreth shfrytëzimi të automjetit të të dëmtuarit E.B. të dhënë me qira, dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, të pandehurit nxjerrin thikat dhe fillojnë ta godasin E.B. në regjionin e fytyrës, kraharorit, parakrahut dhe krahut të majtë, duke i shkaktuar prerje të muskujve.

Ndërsa, edhe të dëmtuarit E.K. i shkaktohen plagë prerëse në regjionin e bërrylit të djathtë dhe dëmtime të tjera, të cilat aktakuza i konsideron dëmtime të rënda trupore.

Kësodore me këto veprime pretendohet që të akuzuarit kanë kryer veprën penale – vrasje në tentativë.