Foto: KALLXO.com

Gjykimi për tenderin e shenjëzimit të rrugëve në Prizren, shefi i Prokurimit jep mbrojtjen

Shefi i Prokurimit të Komunës së Prizrenit, Isa Osmankaj, i akuzuar se ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) e kishte shpallur nulle ose joekzistente, ka dhënë mbrojtjen në Gjykatën e Prizrenit.

Osmankaj deklaroi se kanë respektuar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe kanë formuar komisionin e ri me anë të të cilit ishte shpallur përsëri fitues i njëjti operator.

Lidhur me rastin konkret, shefi i Prokurimit deklaroi se operatorët “Limit” dhe “Limit & Boja & Drini” kanë marrë pjesë në tender.

Tutje shefi i Prokurimit sqaroi se operatori ekonomik “Limit & Boja & Drini” të pakënaqur me vendimin e autoritetit kontraktues kanë parashtruar ankesa në OShP me ç’rast OShP ka marrë vendim për rivlerësim të procesit. Ndërsa më 29 nëntor 2017, OShP-ja ka anuluar procesin në tërësi dhe lënda ka shkuar në ritenderim.

“Autoriteti kontraktues përsëri e ka shpallë fitues të njëjtin operator dhe me datë 3 korrik 2017 është nënshkruar kontrata me këtë operator. Mirëpo, “Limit & Boja & Drini” kanë parashtruar ankesë përsëri dhe OShP-ja më 4 gusht 2017 e shfuqizon kontratën e nënshkruar dhe lëndën e kthen në rivlerësim. Pra çdo gjë kthehet në pikën zero”, deklaroi i akuzuari Osmankaj.

Seanca e sotme u ndërpre dhe do të vazhdojë nesër, kur të akuzuarit pyetje do t’i parashtrojë prokurori i çështjes.

Sipas aktakuzës të datës 19 prill 2019, i pandehuri Isa Osmankaj akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza përshkruan se i akuzuari Isa Osmankaj me dije e ka shkelur ligjin lidhur me detyrat e tij si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij pasi që duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi prokurimin publik, ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) e kishte shpallur nulle ose joekzistente.

Sipas Prokurorisë, në këtë mënyrë, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi prokurimin publik dhe me dispozitat e Ligjit mbi financat publike, duke i mundësuar operatorit ekonomik zbatimin e një kontrate joekzistente në vlerë prej 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163,254.72 euro.

Mirëpo, për këto akuza Osmankaj ishte deklaruar i pafajshëm.