
Foto: KALLXO.com
Gjykimi për sulmin në zyret e KKZ-së, dëshmitari: Millenkoviq ka qenë lider i grupit që kishte kryer sulmin
Në gjykimin ndaj të akuzuarve Millun Millenkoviq (i njohur si “Llune”), dhe ish policëve Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, në seancën e datës 07.03.2025 në Gjykatën e Prishtinës ka dhënë dëshminë zyrtari policor Idriz Idrizi.
Të pandehurit e lartëcekur po akuzohen për sulmin me granata në zyrat e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.
Dëshmitari Idriz Idrizi deklaroi se punon në Deparamentin për Inteligjencë dhe Analizë në kuadër të Policisë së Kosovës.
Ai deklaroi se në ditën kritike kishte pasur për detyrë monitorimin e katër pikave në veri të Kosovës lidhur me atë se ku do të vendosen komisionet zgjedhore lidhur me zgjedhjet.
Dëshmitari Idrizi lidhur me sulmin e në zyret e KKZ-së tha se lider i gjithë këtyre sulmeve ka qenë i akuzuari Millun Millenkoviq.
“Vërehet shumë qartë që Millun Millenkoviq është duke udhëhequr masën, sepse çdo lëvizje e Millenkoviqit përcillej nga një turmë e madhe prapa tij, që ka qenë diku 25-30 persona. Nëse Millenkoviq lëvizte majtas turma lëvizte majtas”- deklaroi dëshmitari Idrizi.
“Dëshmitar a mundesh me i tregu Gjykatës kush e ka udhëhequr sulmin në zyret e KKZ-së?”-ishte pyetja e prokurorit Bekim Kodraliu.
“Çdo lëvizje që bëjke Millun Millenkoviq, ka qenë i pari, pastaj pjesa tjetër prapa tij, edhe këtu para zyrës KKZ-së secila lëvizje kanë qenë të parat nga Millun Millenkoviq, por prej perspektivës që kam pasë nuk kam mujtë me e vërejtë që a ka hedhë mjete shpërthyese, a si lider i krejt grupit ata që kanë sulmu zyret e KKZ-së ka qenë Millun Millenkoviqi” – ishte përgjigjja e dëshmitarit.
Dëshmitari Idrizi deklaroi se në ditën kritike kishte parë edhe të akuzuarin Aleksandar Vllaiq, i cili kishte ardhur para zyreve të komisionerëve zgjedhorë, dhe gjatë gjithë kohës kishte qenë duke biseduar me dikënd në telefon, por që bisedën e tij nuk kishte mundur ta dëgjojë.
Tutje, dëshmitari Idrizi deklaroi se kur kishin shkuar te zyret e KKZ-së ishin dëgjuar 4 shpërthime të menjëhershme, dhe kishte vërejtur një turmë të personave të moshës se re në bazë të dukjes fizike, por që pjesën e fytyrës ata e kishin të mbuluar me maska.
Lidhur më të akuzuarin Pantiq dëshmitari Idrizi deklaroi se në ditën kritike e kishte parë me një qese në dorë, ndërsa të akuzuarin Vllaiq nuk e ka parë në turmë.
“Pantiqin e kam parë vetëm një herë duke kaluar rrugën nga ana e djathtë në të majtë, në dorë ka pasë një qese, ngjyra ka qenë nëse nuk gaboj e gjelbër ose e kaltër. Vetë prezenca e tij do të thotë edhe roli i tij që ka qenë në struktura ilegale tregon që ka qenë aty, ndërsa Aleksandar Vllaliq nuk është vërejtur asnjëherë në turmë, është vërejtur në pjesën e majtë 50 metra më larg zyrës së komisionerëve zgjedhorë”- tha dëshmitari Idrizi.
Tutje, dëshmitari Idrizi tha se kur e kishte parë të akuzuarin Pantiq nuk nuk kishte vërejtur ndonjë reagim.
“Jo, nuk kam mujtë me vërejtë që ka komunikuar me dikënd, kam vërejtë vetëm që ka kaluar rrugën nga ana e djathtë në anën e majtë në mënyrë të ngadalshme dhe kokën ngritur duke vezhguar situatën” – shtoi tutje dëshmitari.
Mbrojtësi i të akuzuarit Millun Millenkoviq, avokati Predrag Milkoviq, kërkoi nga Gjykata që të ndërpritet seanca, pasi që sipas tij është hera e parë që i dëgjojnë këto deklarata të këtij dëshmitari dhe u nevojitet kohë që të përgatiten për pyetje.
Këtë propozim të avokatit Milkoviq e kundërshtoi prokurori Bekim Kodraliu duke thënë se qëllimi i mbrojtjes është prolongimi.
Tutje, avokati Lubomir Pantoviq, që mbron të akuzuarin Dejan Pantiq, tha se pse ky dëshmitar (Idiz Idrizi) është dëgjuar gjatë fazës së hetimeve, dhe pse nuk është i propozuar në aktakuzë si dëshmitar.
Lidhur me këtë çështje, prokurori Kodraliu tha se propozimi i provave mund të bëhet deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, dhe se prokurori i shtetit ka vlerësuar të ftohet Idriz Idrizi me qëllim që të vërtetohet gjendja faktike e datës 6 dhjetor 2022.
Ndërkaq trupi gjykues lidhur me çështjen e ngritur nga avokati Pantoviq për dëshmitarë dhe lidhur me propozimet për dëshmiatarë nga ana e mbrojtjes dhe prokurorit ka vendour në seancat e mëhershme në interes të drejtësisë.
Tutje trupi gjykues aprovoi kërkesën e avokatit Milkoviq për ndërprerjen e seancës me arsyetimin se Gjykata duhet t’ia japë mundësinë mbrojtjes që të realizojë mbrojtjen e vet efektive.
Seanca e sotme 07.03.2025 u ndërpre dhe ajo e radhës është e caktuar për në muajin mars 2025, kur pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari Idriz Idrizi.
Kjo çështje po gjykohet nga Valon Kurtaj- kryetar, Violeta Namani-Hajra dhe Arben Hoti anëtarë të trupit gjykues.
Kallxo.com kishte siguruar dosjen e Prokurorisë në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike si dhe komunikimet e tyre elektronike.
“Prej sot zyrtarisht unë jam zëvendëskomandant i Brigadës së Veriut, nuk ka tani Mbrojtje Civile, tani ka Brigadë të Veriut”- ishte një prej mesazheve të cilat në dosje thuhet se janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Millenkoviq.
“Aty shkunden dardhat… ti gjuaju ndonjë mollë”- ishin mesazhet e këmbyera mes Dejan Pantiqit dhe Miomir Vakiqit, sipas dosjes, duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok bomba. Shok bombat kishin shpërthyer ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve.
Granatat të cilat, sipas dosjes, i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.
Ambulanca në fjalë thuhet në dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë të Prokurorisë së Mitrovicës.
Sipas deklaratës së Millenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes kritike ishte afruar nga kureshtja.
Ndër provat e paraqitura në aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune”, përmbajtjen e të cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.
“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, çojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë”- ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Millenkoviq dy javë para sulmit.
Po ashtu, në dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.
Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e zyrave me gurë, duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në lokal.
Më tutje dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.
E tërë kjo, sipas dosjes, thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës përmes pamundësimit të zgjedhjeve lokale.
Kujtojmë se i akuzuari Millun Millenkoviq është i dyshuar edhe për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në trazirat e majit të vitit 2023 në veri të vendit, për çka edhe ishte arrestuar në qershor të atij viti.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se Millenkoviqi i kishte rezistuar arrestimit gjë e cila ka rezultuar me lëndime trupore të policëve si dhe vetë të akuzuarit.
I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyreve të KQZ-së për të cilin po akuzohet.
“Llune” për momentin ndodhet nën masën e paraburgimit deri në mars të këtij viti.
Dejan Pantiq është i akuzuari tjetër, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa përmes 30 mijë eurosh dorëzani ndodhet në liri që nga shtatori i vitit 2023.
Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.
Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq me mesazhin “hidhjani nga një mollë”.
Miomir Vakiq po ashtu gjatë deklaratës në Polici kishte mohuar veprimet inkriminuese të cilat rëndojnë mbi të.
Në kontekstin e mesazheve telefonike, Vakiq kishte deklaruar se nuk ka pasur qëllime keqdashëse.
Po ashtu edhe i akuzuari Aleksandar Vllaiq kishte mohuar akuzat. Ai po ashtu ka mohuar edhe të jetë pjesë e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.