(VIDEO) Gjykimi për sulmin në Kuvend, Egzon Haliti largohet nga salla pas debatit me gjyqtarin

Njëri ndër të akuzuarit në rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, Egzon Haliti, është larguar nga salla e gjykimit me urdhër të gjyqtarit, Beqir Kalludra.

 

 

 

Ish- aktivistët e Lëvizjës Vetëvendosje Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi po rigjykohen në Gjykatën e Prishtinës.

Debati në mes të Egzon Halitit dhe Beqir Kalludrës filloi pasi i akuzuari filloi të heqte pallton në sallë, ndërsa gjyqtari urdhëroi që ai të “rrijë mirë”.

Pas, kësaj fjalosja vazhdoi dhe gjyqtari urdhëroi largimin nga salla të akuzuarit

“ Pas tërheqjes së vërejtjes disa herë ndaj të pandehurit Egzon Haliti të njëjtin e largon nga salla, ky largim do të zgjasë deri në përfundim të seancës së sotme “, tha Kalludra.

Vërejtje me gojë, gjyqtari i dha edhe të akuzuarit Frashër Krasniqi.

Të lartcekurit akuzohen nga prokuroria për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.