
Foto: KALLXO.com
Gjykimi për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, dëgjohen katër dëshmitarë
Një bombë e përgatitur në një vend të pazakontë, në një fermë delesh në një fshat të Kaçanikut, shpërtheu në kohën e syfyrit më 24.09.2007 në Prishtinë dhe i mori jetën Pleurat Sllamnikut e Naim Muratit dhe la të lënduar 11 persona të tjerë.
Cak i këtij sulmi, sipas aktakuzës së Prokurorisë, ishte lokali “Sekiraqa”, e motiv ishte hakmarrja për vrasjen e policit Triumf Riza që kishte ndodhur më 30 gusht të atij viti.
Polici Triumf Riza ishte vrarë më 30.08.2007 sipas Prokurorisë nga Arben Berisha.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit me këtë veprim dëshironin të merrnin hak ndaj Enver Sekiraqës për ish-kolegun e tyre.
Për këtë shpërthim të akuzuar janë Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi e Mehmet Mehmeti, dhe Afet Dalloshi.
Sot, më 29.01.2025, janë dëgjuar 4 dëshmitarë.
Mbi të akuzuarit rëndojnë tri akuza: vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë, dhe – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
I pari i cili e dha dëshminë e tij ishte dëshmitari Liridon Nishevci, i cili tha se qëndron prapa deklaratave që i ka dhënë në vitin 2014 dhe se nuk ka ndonjë gjë tjetër.
“Kanë kaluar 20 vjet, qato deklarata që i kam jep qato janë” – tha Liridon Nishevci. “Ma nuk është e freskët ajo” – shtoi tutje Nishevci.
Dëshmitari i dytë i cili e dha dëshminë ishte Vigan Zeneli.
Ai gjatë dëshmisë së tij tha se qëndron prapa deklaratave të cilat i kishte dhënë në fazat e hetimeve.
“Atë natë me shokë kemi luajtur futboll dhe pastaj kemi shkuar në lokalin ‘Pasazh’ që ka qenë në pronësi të shokut tonë, Blerim Syla, edhe u kanë Ramazan dhe kemi vazhdu me nejtë aty. Diku para orës 2:00, kur jemi kanë tuj nejtë ulur kanë ardhur dy persona, për të tretin nuk e di sigurt, e kanë hapur derën edhe kanë pyetur a ka cigare këtu” – tha Zeneli.
Ai rrëfeu se kishte qenë ulur përballë derës dhe i kishte parë kur ishin afruar dhe ata persona ishin çuditur në momentin kur i kishin parë këta në lokal. Dëshmitari tha se iu kishte përgjigjur se nuk kishte cigare aty.
Sipas këtij dëshmitari, të njëjtit ishin larguar në drejtim të parkingut dhe pa kaluar dy minuta, katër persona me uniforma të njësisë ROSU të Policisë së Kosovës, me maska kishin kaluar.
“Dy kishin kaluar nga ana e djathtë, dy nga ana e majtë dhe kanë shkuar në drejtim të atyre personave që kishin kërkuar cigare, duke bërtitur. Se çka kishin bërtitur nuk e di” – tha Zeneli.
Ai tregoi se më nuk i kishte parë. “Mirëpo Gëzimi, që ka qenë me ne në lokal, kishte dalë jashtë te dera e lokalit dhe aty i kishte parë dhe ka thënë se Policia i ka ndalur ata dy persona të cilët ishin më herët te parkingu dhe po shtyhen me fjalë”.
“Unë i kam thanë: Gëzim hyr brenda, mos na e thirr Policinë këtu. Nuk ka shkuar as një minutë a dy edhe u bë terr. Gëzimi hini brenda, e msheli derën edhe u ndal rryma. Ma nuk mbaj sen mend” – tha Zeneli.
Më vonë ai tregoi se e kishte kuptuar se eksplozivi ku kishte qenë i vendosur kishte qenë përballë trafos kryesore.
“Në atë moment më është dukur normal, ndërsa më pas e kam kuptuar arsyen e ndaljes”- tha Zeneli.
Dëshmitari i tretë ishte Naim Hyseni, i cili tha se për arsye se kanë kaluar vite nuk i kujtohet saktë se çfarë ka ndodhur.
“Janë bërë disa vjet, nuk më kujtohet saktë mirëpo mbetem prapa deklarimeve të dhëna në fazën hetimore” – tha Naim Hyseni.
“Nuk kam kurrfarë filmi, nuk muj me dëmtu veten as dikë tjetër”- shtoi tutje Hyseni.
Ndërsa dëshmitari i katërt i cili dha dëshminë e tij në seancën e sotme ishte Shkëlqim Syla.
I njëjti tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë më 26.09.2006.
“Mbetem në tërësi pranë asaj deklarate dhe tjetër nuk kam çfarë të shtoj” – tha Syla.
Lidhur me natën kritike ai tregoi se atë natë kishte pasur mysafirë dhe se kanë qenë duke punuar. Dëshmitari tha se kanë qenë mysafirë të rregullt, miq, shokë.
“Atë natë në orët e vona me sa më kujtohet ka qenë 1 person që ka kërkuar cigare” – tha Syla.
Para se të ndodhte shpërthimi sipas tij një person kishte kërkuar cigare mirëpo para se të kërkonte personi cigare, kishte parë të tjerë që kishin kaluar nga lokali, se ata kishin qenë me rroba civile, me maska, me armë mirëpo nuk i kujtohej se sa persona kishin qenë.
“Sa kohë ka kaluar kur kanë kaluar këta persona me rroba civile, me maska, deri te eksplozivi?”- e pyeti prokurori Armend Hamiti.
“Nuk më kujtohet saktë, mirëpo nuk ka qenë kohë e gjatë”- tha Syla.
Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Alban Ajvazi (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me ketë çështje pritet të mbahet gjatë muajit shkurt 2025.
Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit ishte ankuar Prokuroria që pretendonte se vendimi i Themelores nuk ishte i drejtë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit që mban datën 04.04.2017, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, anulon vendimin e Gjykatës Themelore të korrikut të vitit të kaluar dhe rikthen çështjen në rigjykim.
Ndryshe nga gjetjet e Gjykatës Themelore se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës sipas Kodit të Procedurës Penale.
Dosja e Prokurorisë
Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 27 shtator 2007 ishin vrarë dy persona, Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe ishin plagosur 11 të tjerë.
Sipas Prokurorisë, ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës këtë hap e kishin ndërmarrë afër një muaj pasi ishte vrarë në Prishtinë polici Triumf Riza. Sipas Prokurorisë dyshohet se motiv i sulmit ishte hakmarrja.
Shpërthimi në kafenenë “Sekiraqa” kishte ndodhur rreth një muaj pas vrasjes së policit Triumf Riza, ndërsa Policia atëkohë besonte se përgjegjës për vrasjen e tij ishte një bashkëpunëtor i afërt i Sekiraqës.
Sipas aktakuzës, polici Triumf Riza dhe Enver Sekiraqa kishin marrëdhënie të tendosura për shkak se Riza ishte në lidhje intime me këngëtaren A.I., që kishte qenë ish e dashura e Sekiraqës.
Siç shkruan aktakuza, një fjalosje mes Rizës dhe Sekiraqës më 2006 në “Swiss Cassino”, eskaloi në shkëmbim me armë zjarri mes tyre, ku u lënduan dy persona, njëri nga ta anëtar i grupit të Sekiraqës. Riza ndihej i kërcënuar nga grupi i tij, prandaj edhe i kishte informuar eprorët e tij.
Më 24 shtator 2007, rreth orës 02:10 të mëngjesit, të pandehurit vendosën eksploziv poshtë shkallëve që të shpinin në kafenenë “Sekiraqa”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit ishin në dijeni që mund të shkaktonin vdekjen e disa personave.
“Të pandehurit e dinin se shpërthimi mund t’i vriste klientët, por ata e vazhduan planin e tyre. Këta klientë u bënë viktima të zemërimit dhe hakmarrjes së të pandehurve kundër Enver Sekiraqës” – thuhet në aktakuzë.
Bomba u montua në fermën e deleve
Sipas aktakuzës, mjeti shpërthyes ishte montuar në një fermë të deleve në fshatin Rakaj të komunës së Kaçanikut.
Për këtë kishte dëshmuar edhe Basri Sejdiu, i cili ka treguar se punonte në fermën e deleve në këtë fshat. Ai kujdesej për fermën e deleve dhe punonte në një zyrë te porta, ku edhe flinte.
Sejdiu ka deklaruar në Prokurori se kishte parë dy vetura policie që kishin mbërritur brenda 15 minutave njëra pas tjetrës natën në këtë fermë dhe gjithashtu kishte parë të vinte me to edhe një veturë civile.
Një automjet vozitej nga Besnik Hasani, i cili i kishte thënë atij të futej brenda dhe të flinte.
Të pandehurit, sipas aktakuzës, nuk arritën të vendosnin bombën brenda lokalit “Sekiraqa” ashtu siç ishte planifikuar.
“Bari “Sekiraqa” ndodhet në katin e parë të ndërtesës. Në atë kohë, porta prej hekuri para derës së barit ishte e mbyllur, dhe ata nuk mundën ta këpusnin drynin. Kështu që, të pandehurit nuk arritën të hyjnë në bar. Prandaj, ata vendosën ta vinin bombën poshtë shkallëve që të shpinin në të” – shpjegohet në aktakuzë.
Ndërkaq, bomba e vendosur te dera e lokalit kishte shkaktuar edhe dëme materiale te të paktën tetë biznese, që ishin në afërsi të këtij lokali.
Ata akuzohen edhe për shkaktim të dëmit të madh pasuror në pronën dhe pasurinë e disa bizneseve, si: “Ciko”, “Besa”, “Uran Shped”, “Oslo”, “Pasazh”, “Noti”, “Kojota”, “FitnessClub”.
Dëshminë e vet Prokuroria e mbështet edhe në bazë të korrespodencave përmes telefonave të këtyre personave, në atë kohë dhe atë natë.
I pandehuri Arbresh Dalipi, më 23 gusht 2013, ka deklaruar në Prokurori se nga të pandehurit njihte vetëm Luan Qerkinin dhe Bekim Sumën, porse nuk mban mend numrin e tij të telefonit që e mbante më 2007, e as që ka shkuar në Prishtinë në atë kohë për ta takuar Besnik Hasanin, Nusret Cenën, ose Bejtullah Hasanin.
Ndërkaq, i pandehuri Mehmet Mehmeti, fillimisht para Prokurorisë kishte mohuar takimin me Besnik Hasanin një ditë para shpërthimit. Por, kur Prokuroria i tha se kishte njohuri se ai kishte qenë në Prishtinë, Mehmeti kishte deklaruar se “mund të kem qenë duke e dërguar gruan për në Prishtinë dhe nuk e di pse Shpend Qerimi e ka përmendur”.
I pandehuri tjetër Afet Dalloshi ka mohuar përfshirjen në vënien e bombës në lokalin “Sekiraqa”, ashtu siç kanë bërë edhe të pandehurit Luan Qerkini dhe Besnik Suma.
Derisa Bejtullah Mehmeti deklaronte se i kishte thënë Policisë se po shihte serialin “Familja Moderne”. Por, ai nuk mund ta shpjegonte se si mobili i tij ishte ndodhur në Prishtinë në një kohë kur ai thoshte se ishte në shtëpi duke parë televizion.
Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen nga Prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë ndërsa Afet Dalloshi për ndihmë, lidhur me shpërthimin e shtatorit të vitit 2007.